Humbja me Kukësin e ka ulur me këmbë në tokë Vllazninë. Drejtuesit e saj përpos entuziasmit të fillimit të kampionatit, tashmë duken më ndryshe. Presidenti Nava dhe drejtuesit e tjerë të klubit kanë filluar t’i bëjnë llogaritë ndryshe. Skuadra ndaj Kukësit shfaqi gabime elementare sidomos në repartin e mbrojtjes por edhe në repartet e tjera ka treguar pasiguri dhe mungesë kualiteti. Pikërisht për këtë arsye, po tentohet ndërhyrja sërish në merkato. Ditën e nesërme do mbyllet zyrtarisht kontrata me dy uruguajanët, Sozën dhe Aguirren dhe ata pritet të jenë një përforcim i rëndësishëm për mesfushën dhe sulmin e Vllazninë por nuk mjaftojnë.
Për këtë arsye, në ditët në vijim mendohet që të vijnë edhe 2-3 futbollistë të tjerë. Njëri prej tyre është mesfushori uruguajan Rodriguez ndërsa pritet edhe një portier dhe një mbrojtës. Me kompletimin e tyre, por edhe me ardhjen e kartonit për mbrojtësin serb Mehmedoviç, Vllaznia mund të jetë një skuadër krejt ndryshe ditën e dielë në ndeshjen e dytë të kampionatit me Teutën në Durrës. Fillimi i kampionatit nuk ka qenë aspak i mirë për kuqeblutë aq më tepër që e kanë nisur edhe me minus tre pikë megjithatë gjërat ka shpresë se mund të ndryshojnë në ditët në vijim. Drejtuesit e klubit japin garanci për këtë gjë prandaj duhet të presim edhe pak ditë. Ndeshja e rradhës është shumë e rëndësishme. Edhe për të parë ndryshimet e para në skuadër por edhe të krijuar besim për të ardhmen.
www.shkodrasport.com