Presidenti i Vllaznisë në futboll për femra, Lazër Matija, menjëherë pas njohu kundërshtarët në Champions, komenton shortin. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai shprehet: “Të them të drejtën, skuadrën Fortuna Hjorring nuk e njohim mirë, por dimë që futbolli danez është nga më të mirët në Europë. Kemi parë shumë ndeshje të kombëtares së Danimarkës dhe është një nga skuadrat më të forta në botë.
Gjithsesi, ne do të bëjmë më të mirën tonë. Nuk është se premtojmë mrekulli, por gjithashtu nuk vendosim limite. Nuk ishim favoritë as në grup dhe arritëm t’ia dilnim, e pse jo mos të tentojmë sërish, aq më tepër që do të luajmë edhe para publikut tonë në ‘Loro Boriçi’ e gjej rastin t’i ftoj të gjithë për të na mbështetur”, shprehet Matija.
Më pas presidenti i Vllaznisë së femrave shprehet se do të bëjë çmos për ta përforcuar edhe më shumë skuadrën me afrime të reja: “Ndonëse koha që kemi në dispozicion është e shkurtër, do të përpiqemi të ndërhyjmë në merkato, duke i dubluar ato pozicione ku kemi më tepër nevojë”.
Kujtojmë që kampionet e Shqipërisë, të cilat drejtohen nga trajneri Nikolin Leka, do ta luajnë ndeshjen e parë në Shkodër në datat 11- 12 shtator, ndërsa takimin e kthimit në Danimarkë më 25- 26 shtator.