Vllaznia vazhdon të shkruajë me germa të arta historinë në futbollin e femrave. Shkodranet për herë të dytë gjatë tri viteve të fundit janë kualifikuar mes 32 skuadrave më të mira në Ligën e Kampioneve.
Këtë edicion vajzat kuqeblu eliminuan në raundin e parë Ferencvaroshin me penallti, ndërsa shorti ku tashmë i ka vendosur përballë Juventusit në raundin e dytë.
Me investimet e tij, presidenti Lazër Matija e ka kthyer Vllazninë në një superfuqi dhe në një garanci suksesi në Europë. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Matija komentoi sfidat me Juventusin:
“Të sjellësh një ekip të madh si Juventusi në Shkodër, ketë po e bën vetëm Vllaznia. Por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe t’i marrim gjërat shtruar, sepse i dimë vlerat e rivalit.
Megjithatë, nuk do të kënaqemi vetëm me faktin që po luajmë me Juventusin. Do provojmë edhe me shumë”, tha Matija. Ndeshja e parë do të luhet më 1 shtator në Shkodër, ndërsa ajo e kthimit më 8 shtator në Torino.