Java e 16 e Kategorisë Superiore sjell ndeshjen mes Vllaznisë dhe Kukësit, aty ku dy skuadrat kanë detyrim vetëm fitoret për të vazhduar me rrugëtimin e tyre drejt objektivave. Në ndeshjen e parë në luajtur në “Elbasan Arena”, Vllaznia arriti të merrte një fitore shumë të rëndësishme me rezultatin 1-2, duke e shokuar jo pak skuadrën verilindore.

Në ndeshjen e së mërkurës, Kukësi kërkon hakmarrje dhe njëkohësisht të mbajë vendin e parë teksa nga ana tjetër, Vllaznia kërkon të afrohet me kreun pasi është vetëm 4 pikë larg Kukësit.

Por, asnjëra nga skuadrat nuk kanë ndeshjen dhe stadiumin që do të preferonin. Vllaznia është këtë sezon ndër skuadrat më të dobëta në ndeshjet në shtëpi dhe vetëm Flamurtari e Luftëtari kanë bërë më keq se shkodranët.

Dy skuadrat e fundit në klasifikim kanë marrë nga 6 pikë në shtëpi ndërkohë që Vllaznia ka marrë 8 pikë në 7 ndeshje të luajtura dhe pikën më të fortë ka ndeshjet në transfertë. Nga ana tjetër, Kukësi ka pikë të fortë ndeshjet në shtëpi dhe nuk bën shumë mirë në transfertë.

Kukësi ka marrë 19 pikë në 8 ndeshjet në shtëpi, teksa e sheh veten në kuotën e 8 pikëve në 7 ndeshje jashtë. Takimi luhet të mërkurën duke nisur nga ora 13:00. /VipSport/