Merkatoja e Superligës shqiptare do të mbyllet ditën e martë por tek Vllaznia nuk pritej lojtarë të tjerë. Bëhet fjalë për futbollistë të kampionatit shqiptar sepse merkatoja e të huajve është mbyllur që më 31 gusht. Sa I takon lojtarëve të kampionatit tonë, në fakt shanset që ndonjëri prej tyre të vijë në Shkodër, duken shumë të pakta. Secili skuadër tashmë është profilizuar dhe bërë gati për nisjen e kampionatit. Në këto kushte, kuqeblutë duhet t’I bëjnë planet me kontigjentin aktual.

Sa I takon portës në fakt çdo gjë është mbyllur që ditën e djeshme kur ka rinovuar Erind Selimaj dhe kësisoj, ai bashkë me Alen Sherrin do të jenë dy portierët e Vllaznisë të paktën deri në janar. Ndërkohë reparti I mbrojtjes dhe ai I sulmit kanë mbetur të paplotësuar ndonëse stafi teknik vazhdon të thotë se ka ende nevojë për përforcime. Kur kanë mbetur edhe pak orë nga mbyllja zyrtare e merkatos, në Shkodër kanë pak besim se mund të ketë ndonjë përforcim tjetër. Edhe ndonjë lojtar që po përflitet si futbollist pa kontratë, nuk pëlqehet shumë nga stafi I kuqebluve. Në këto rrethana, planet Cungu dhe stafi I tij janë duke I bërë me kontigjentin që kanë në dispozicion në këto momente. Kujtojmë që tek Vllaznia në këtë merkato kanë ardhur pesë futbollistë dhe pikërisht Edon Hasanin, Gilman Lika, Nuredin Orelesi, Çarls Atsina dhe Erjon Vucaj. Por nga ana tjetër ka patur edhe shumë largime, ndër të cilët edhe ato të shkodranëve Shtubina, Hebaj e Vecaj. Në numër ndoshta largimet janë më të shumta se afrimet dhe për pasojë, skuadra nuk mund të quhet e plotë dhe për më tepër të konsiderohet pretendente për Kupat e Europës siç ka filluar të përflitet sërish në opinionin sportiv.
© shkodrasport.com