Vllaznia po e fiton “betejën” me Ko ronavirusin. Jo vetëm që nuk ka më raste të reja, por edhe të prekurit po shërohen dita-ditës. Pas Erdenis Gurishtës, Eni Imamit, Herald Markut, Uheid Hoxhës, Florind Bardullës, Mehdi Çobës edhe tre pjesëtarë të ekipit kanë dalë më në fund negativë.
Pasi kanë kryer testet e dyta, mesfushori Viktor da Silva, mbrojtësi Mevlan Adili dhe zv.trajneri Elvis Plori kanë mposhtur “COVID19”.
Në Shkodër po rikthehet normaliteti, ndonëse në karantinë mbeten edhe tre futbollistë të tjerë. Ismael Dunga, Kristofer Mandiangu dhe Aleksandar Isaevski janë në pritje të ditës që të kryejnë tamponin e dytë dhe të marrin zyrtarisht përgjigjen.
FLET MJEKU – Stafi mjekësor i kuqebluve është më shumë se i sigurt se ata do të dalin negativë, pasi s’kanë kurrfarë simptome dhe asnjë shqetësim shëndetësor.
Një gjë të tillë e thotë enkas për “Panorama Sport” vetë doktori Zyhdi Çoba. Ai i mëshon faktit që vend për alarm nuk ka pasur dhe as nuk ka dhe çështje ditësh, te Vllaznia do të jenë të shëruar nga ky virus që i ka munduar gjatë javëve të fundit.
“Kam qenë optimist që në momentet e para dhe ndaj e kam thënë dhe stërthënë se te Vllaznia nuk kishte vend për alarm. Gjithsesi, infektimi i disa lojtarëve dhe i teknikut Plori u pa si shqetësim, por e keqja iku. Me disa përjashtime të vogla, pjesa më e madhe e futbollistëve tanë e kanë kaluar pa simptoma fare këtë virus.
Edhe tre lojtarët që momentalisht janë të karantinuar, nuk ndiejnë asgjë dhe duhet vetëm që t’u vijë dita për të kryer testin e dytë. Bindja ime është se ata do të jenë negativë dhe këtë e tregon më së miri gjendja e secilit prej tyre. Këto dy ditë mund të them se ekipi do të jetë i plotë”, është shprehur mjeku i mirënjohur Zyhdi Çoba.
PLOTËSIMI I GRUPIT – Sipas kësaj logjike, Vllaznia në fillimjavën e ardhshme do të jetë tërësisht e plotë në organikën e saj dhe më në fund Tomas Brdariç mund të marrë frymë lirshëm. Shtyrja e kampionatit i ka ndihmuar ndjeshëm kuqeblutë.
Nëse sezoni 2020-2021 do të kishte nisur, përballimi i situatës do të ishte më shumë se i vështirë. Në një lloj forme, infektimi i 11 lojtarëve dhe zv.trajnerit ka lënë sigurisht disa pasoja, pasi stafi teknik kurrë nuk ka munduar që të ketë grupin e plotë dhe të mendojë vetëm për kolaudimin e formacionit.