Opinion nga Redan BUSHATI
Po, kështu duhej të reagonin në kohë drejtuesit më të lartë të klubit Vllaznia. Tashmë, “mëkatarët” e gjendjes aktuale të Vllaznisë kanë marrë dënimin maksimal, por edhe brenda normave të funksionimit të një ekipi futbolli europian. Tek Vllaznia, ashtu siç edhe mund ta dini, janë gjobitur me 45% të shumës totale të kontratës dhe pezulluar për të mos qenë pjesë e ekipit të parë për 3 muaj, as në stërvitje, Tefik Osmani dhe Vilfor Hysa. Masë ndëshkimore më “relaksuese” kanë marrë: Ilir Nallbani dhe Halim Begaj, duke u gjobitur me 35% të vlerës së kontratës. Sakaq, futbollistët e tjerë janë gjobitur me një rrogë e gjysëm mujore.
Rrallëherë kemi parë maturi dhe pjekuri të tillë në klubin Vllaznia. Prej vitesh kishte munguar serioziteti dhe largpamësia në mënyrën e marrjes së vendimeve. Jemi mësuar rëndom të njihemi me bërjen “kurban” të kokave të trajnerëve, duke u vënë gishtin fajësues gjithnjë atyreve. Duket sikur drejtuesit e kuqebluve kanë mësuar nga “dajaku” i marrë pas largimit të Rudi Vatës. Më në fund, shtohen premisat se po “nuhasin” pakëz nga mënyra e menaxhimit të një klubi futbolli. Kështu, ato nuk ushtruan asnjë lloj presioni përgjatë gjithë fazës së parë të kampionatit, madje as atëherë kur Vllaznia u eleminua nga Kupa e Shqipërisë nga një ekip pa pretendime, i cili rrezikon edhe rënien nga kategoria, si Shkumbini; pritën me durim, edhe pse me nerva të tendosura, përfundimin e fazës së parë për të marrë vendime serioze për fatin e Vllaznisë së ardhshme. Ndëshkimet ndaj futbollistëve kanë ardhur në momentin më të përshtatshëm, në mënyrë që t’u bëhet edhe një “dhuratë simbolike” për festat e fundvitit, e për rrjedhojë të dinë në vazhdim të sillen si profesionistë dhe të kuptojnë njëherë e mirë se fanellën e kujt ekipi kanë veshur. Vllaznia do të qëndrojë burrneshë përjetësisht, paçka se me të edhe mund të tallen, edhe mund të shpifin, edhe mund të luajnë…
Pas ndëshkimit të futbollistëve, gjykoj se ishte masë e duhur mosnxitimi për të larguar trajnerin Shpëtim Duro. Le të bëjë edhe ai punën e tij, duke dhënë minimumin e kërkuar nga një teknik profesionist, projektin për drejtimin e një klubi! Problemi që shtrohet në këtë rast, pasi Duro të dorëzojë projektin, është se nga kush do të lexohet, e më pas të miratohet apo jo ky projekt. Pse? Sepse, si kryebashkiaku, njëherazi presidenti i klubit, z.Lorenc Luka, si kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, z.Ritvan Troshani, apo edhe disa të tjerë, përjashto drejtorin sportiv, z.Armir Grima, nuk është se marrin edhe aq “erë” nga bota e futbollit, e jo më të vendosin për një projekt të detajuar. Ky realisht është një problem më vete. Në këtë rast, e udhës duhej të ishte thirrja e personaliteteve dhe figurave të shquara të futbollit shkodran për të gjykuar se projekti i Duros është i denjë për një skuadër si Vllaznia, apo jo.
Përpos atyre se çka thamë më sipër, problem tjetër te Vllaznia është çështja financiare. Me aq sa derdh bashkia për klubin është shumë pak për një skuadër legjendë në futbolllin shqiptar, e për më tepër të synohen Kupat e Europës, si i vetmi objektiv i mbetur për Vllazninë e këtij sezoni. Ndaj, shitja e aksioneve të Vllaznisë është rrugëzgjidhja e vetme, ndryshe do të vijojmë me të njëjtat probleme. Sinqerisht, nuk arrij të kuptoj se pse Bashkia e Shkodrës heziton në shitjen e aksioneve, normalisht duke mbajtur disa edhe për vete, në mënyrë që drejtimi i Vllaznisë të jetë më efikas, e çfarë është më thelbësorja kthimi te lavdia, fitimi i një titulli kampion.
Ditët e mbetura të dhjetorit duhet të jenë ditë të lodhshme dhe të vështira pune për drejtuesit e klubit, në mënyrë që të projektojnë Vllazninë e edicionit 2013-2014 e në vazhdim, pasi për këtë sezon të “mbjellat” janë korrur nga Skënderbeu, apo edhe ndonjë ekip tjetër. Pra, ky është një tjetër sezon i dështuar i Vllaznisë. Ndaj, çdo gjë duhet të projektohet jo vetëm për një fazë të dytë të këtij sezoni, por para së gjithash për vazhdimësinë e këtij ekipi.
Në fund, në këtë analizë timen, preferoj të shtoj se nga Vllaznia duhet të largohen menjëherë, që në merkaton e janarit, mbi 5-6 futbollistë të cilët nuk kanë dhënë asgjë nga sa pritej prej tyre dhe të afrohen 2-3 me cilësi të lartë, si dhe 2-3 të rinj nga akademia. Pastaj, për merkaton e verës, deri atëherë ka ende kohë, por e rëndësishme, sipas pikëpamjes sime, është marrja e këtyre vendimeve në mënyrë serioze dhe në shërbim të fanellës elitare të futbollit shqiptar, kuq e blu, e jo për ca llogari që i shkojnë përshtat ndonjë delenxhíu apo pazvani tek Vllaznia.