Ashtu siç pritej, ekipi i Vllaznisë për të rritur, është shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë për vitin 2013. Garat janë zhvilluar pasditen e djeshme në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe janë shoqëruar me një rivalitet të madh në mes ekipeve pjesmarrëse. Shkodranët kanë marrë pjesë me një ekip të plotë të përbërë nga 23 sportistë në këtë eveniment të rëndësishëm dhe paraqitja e tyre ka qenë shumë e mirë. Nuk kanë munguar vendet e para në shumë disiplina sportive.

Kështu vlen për t’u përmendur fakti që Bajram Muça, një sportist ky vetëm 18 vjeç që në garat e para disa ditëve u shpall sportisti më i mirë i kampionatit të moshës së tij, ka zënë vend të parë edhe me të rriturit në garën e 110 m/p me kohën 14″99. Vend të parë gjithashtu ka zënë edhe Xhaneto Zefi në garën e 400 m/p me kohën 57″62 si dhe Elvedin Meti në garën e 200 metrave me kohën 22″24. I suksesshëm ka qenë edhe sportisti Lulëzim Çengeli që në garën e 400 metrave me kohën 51″24 ka zënë vendin e parë. Ndërkohë, rezultatet më të mirë në këtë aktivitet të Kupës së Shqipërisë i ka arritur atleti Izmir Smajlaj që është shpallur fitues i vendit të parë në dy gara. Fillimisht në kërcim së gjati teksa ka kërcyer 7.40 metra, një rezultat ky që është vlerësuar shumë nga specialistët dhe më pas edhe në garën e kërcimit trehapësh me distancën 15.08 metra. Ekipi i Vllaznisë ka zënë vend të parë edhe në stafetën 4x 100 metra me kohën 45″21. Në përfundim të të gjithë garave, në bazë të pikëve të mbledhura, ekipi i Vllaznisë ka zënë vendin e parë dhe është shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë për vitin 2013 teksa ka lënë prapa ekipet e Teutës dhe Tiranës. Ndërkohë po ashtu, atleti i Vllaznisë Izmir Smajlaj është shpallur sportisti më i mirë i aktivitetit duke grumbulluar 1000 pikë olimpike.

Gjergj KOLA

(www.shkodrasport.com)