Vllaznia është shpallur kampione e Shqipërisë në atletikë edhe me të rriturit. Atletët shkodranë kanë dominuar në kampionatin kombëtar të zhvilluar për dy ditë me rradhë në Tiranë duke treguar se janë sërish më të mirët. Ato janë shpallur kampionë përveçse si ekip edhe në disa disiplina. Kështu, Ardit Rashi është shpallur kampion kombëtar në garën e 100 metrave, Izmir Smajlaj kampion në garat e kërcimit së gjati dhe në trehapësh. Një tjetër kampion ka nxjerrë Vllaznia edhe në garën e 200 metrave teksa fitues është shpallur Mario Shestani.

Po ashtu kampion ka dalë edhe Besmir Pepa në garën e hedhjes së shtizës. Po ashtu, Vllaznia është shpallur kampion edhe në garat e stafetave, 4 x 100 metrave dhe 4 x 400 metra. Pikërisht, në bazë të kësaj ecurie ekipi shkodran ka arritur të grumbullojë 181.5 pikë dhe me këtë numër pikësh, ka zënë vendin e parë në renditjen ekipore duke u shpallur kampion I Shqipërisë për vitin 2014. Por përveçse si ekip, Vllaznia ka dominuar edhe në garën për të shpallur sportistin më të mirë të kampionatit. Në këtë garë, Izmir Smajlaj në bazë të pikëve olimpike, ka grumbulluar më shumë se gjithë të tjerët dhe për rrjedhojë, është shpallur ai sportisti më I mirë I kampionatit. Dominimi I atletëve shkodranë kësisoj edhe në këtë kampion ka qenë absolut. Ata janë shpallur kampion për 18 vjeçarët fillimisht, më pas kanë marrë Kupën e Shqipërisë me të rriturit, kampion me 20 vjeçarët dhe së fundi edhe kampion me të rriturit duke bërë kështu që të gjithë trofetë e këtij viti të vijnë në Shkodër. Këto natyrisht që janë suksese të këtyre atletëve dhe bashkë me to edhe të trajnerëve që kanë punuar me to.
www.shkodrasport.com