Tjeter sukses per ekipet e klubit Vllaznia. Pikerisht ai “Mix Martial Arts” ka zene vendin e pare dhe eshte shpallur kampion i Shqiperise para pak ditesh.

“Mix Martial Arts”, ose e thënë në gjuhën popullore dyluftimi në kafaz, eshte një disiplinë që në fakt për herë të parë në vendin tonë e aplikoi 4 vite më parë sportisti shkodran, Dorian Dokaj, i cili i përgatitur nga trajneri Elion Puka korri suksese të rëndësishme edhe në arenën ndërkombëtare.

Shembullin e shkodranit Dokaj, që sot konkuron me sukses në kampionatet e arteve marciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po e ndjekin sportistët e rinj të Vllaznisë. Një gjë e tillë është pasqyruar në Kampionatin Kombëtar të “Mix Martial Arts” organizuar në Tiranë me pjesëmarrjen e ekipeve më të mira të Shqipërisë.

Nën drejtimin e trajnerit Elion Puka dhe zv. trajnerit Gramoz Hasa, Vllaznia arriti rezultate të shkëlqyera duke qënë absolute qoftë në konkurimin ekipor si dhe në atë individual. Me 8 ndeshje të mbyllura me 8 fitore, Vllaznia shpallet kampione absolute në këtë kampionat duke lënë prapa me diferencë të theksuar pikësh ekipet rivale.

E veçanta e ekipit të Vllaznisë në këtë kampionat ka të bëjë me atë që të tetë sportistët shkodranë merituan vendin e parë duke u shpallur kampionë në peshat e tyre përkatëse.

Ndër to duhen përmendur Nejla Uruçi e peshës 66 kg, më e mira e vendit për vitin e kaluar, e cila në këtë kampionat, së bashku me të vëllanë e saj, Neual Uruçi i peshës deri në 69 kg u shpallën kampionë kombëtarë.

Të njëjtin rezultat arritën edhe kolegët e tyre, Shefqet Tivari i peshës së rëndë deri në 100 kg, kampion, Kevin Bekteshi në peshën 65 kg, Gersi Bardhi në peshën 60 kg, Hysen Kermenshtna 51kg, Hakim Sytari 68 kg, dhe Esad Malaj në peshën 61 kg.