Vllaznia është shpallur kampione e Shqipërisë në boks për 16 vjeçarët. Ajo ka dominuar mbi të gjithë ekipet e tjera në ndeshjet finale të zhvilluara paraditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Ajo ka lënë në vend të dytë Flamurtarin dhe në të tretin Tomorin ndërkohë që ekipi shkodran ka nxjerrë edhe plot 9 boksierë kampionë në peshat respektive dhe pikërisht Leonard Arën, Geraldo Kukën, Besjor Gjetjen, Sokol Kuçin, Eris Avdulin, Artan Vaten, Denis Gjonpalajn dhe Elton Facajn. Pas përfundimit të ndeshjes është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të kupës, medaljeve dhe diplomave për sportistët dhe ekipet më të mira. Boksieri shkodran Geraldo Kuka është shpallur boksieri më luftarak i kampionatit ndërsa kupën e boksierit më të mirë e ka marrë kampioni i peshës 60 kilogramë, Besjor Gjetja, që është djali i kampionit të njohur të këtij sporti, Besnik Gjetjes. Besjori në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” është shprehur i kënaqur me këtë arritje dhe ka premtuar edhe të tjera në të ardhmen. Nga ana tjetër trajneri i Vllaznisë Emiliano Çekini përveçse i lumtur për këtë sukses ka shprehur kënaqësinë  e tij se po rritet një brez sportistësh të talentuar që do t’i shërbejnë shumë shpejt ekipit të parë. Suksesi i boksierëve 16 vjeçarë tregon edhe njëherë tjetër se kemi të bëjmë me një perspektivë të sigurtë të këtij sporti në Shkodër dhe me siguri që titujt kampionë të Vllaznisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

© shkodrasport.com