
Vllaznia në atletikë është shpallur kampione e Shqipërisë për të rinj. Garat e kampionatit janë zhvilluar pasditen e së mërkurës në pistën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit dhe janë dominuar nga atletët shkodranë. Sidomos me meshkujt, ato kanë qenë liderë në shumë gara duke triumfuar në fund edhe me shpalljen kampion. Ka rënë në sy mbi të gjithë atleti Suad Bashku I cili është shpallur kampion në dy gara. Pikërisht në atë të kërcimit së gjati dhe në trehapësh. Përveç tij, kampion është shpallur edhe Jonald Quku në garën e 200 metrave. Falë këtyre rezultateve por edhe të sportistëve të tjerë, Vllaznia si ekip ka arritur të grumbullojë më shumë pikë se të gjithë ekipet e tjera, plot 95 dhe me këtë sasi pikësh ajo ka siguruar vendin e parë në renditjen ekipore duke u shpallur kësisoj edhe kampion I Shqipërisë. Sipas kryetrajnerit të këtij ekipi- Albert Marashi, titulli pritej dhe nuk është ndonjë suprizë sepse vazhdimisht Vllaznia dominon në këtë sport. E nëse ka patur vende të para tek meshkujt, disi surprizë mund të konsiderohet zënia e dy vendeve të para edhe femrat. Kështu, Ilirjana Sadikaj është shpallur kampione në garën e 110 metrave me pengesa duke qenë më e shpejta nga të gjitha kundërshtaret e saj. Vend të parë ka zënë edhe Ermelina Uruçi në garën e kërcimit trehapësh. Në këtë mënyrë, është mbyllur edhe kampionati I 18 vjeçarëve dhe Vllaznia për meshkuj shpallet sërish kampione e vendit. Tashmë atletët e këtij ekipi dhe trajnerët e tyre bëhen gati për garat e ardhshme kombëtare dhe ndërkombëtare ku do të synojnë të tjerë suksese.
Gjergj KOLA