Vllaznia në atletikë për meshkuj është shpallur pasditen e djeshme kampione e Shqipërisë për të tetin vit rradhazi. Ky ka qenë verdikti i kampionatit të zhvilluar për dy ditë me rradhë në Elbasan, në garat e të cilit kanë dominuar atletët shkodranë që kanë grumbulluar më shumë pikë se çdo ekip tjetër dhe për këtë arsye, ata janë shpallur më të mirët edhe për këtë vit. Kryetrajneri i ekipit të Vllaznisë Albert Marashi në një prononcim për gazetën shkodrasport.com, ka falenderuar të gjithë sportistët dhe trajnerët për këtë sukses të rradhës.

“Besoj se konkretizuam punën dhe sakrificën e bërë gjatë gjithë këtyre muajve nga sportistët dhe trajnerët të cilët ndonëse në kushte të vështira, arritën të përgatiten si duhet për këtë kampionat dhe të shpallemi kampionë sërish. Nuk është rastësi. Vetëm këtë vit kemi fituar titullin kampion me të rinjtë, kupën dhe kampionatin me të rriturit. Kjo tregon se gjithçka vjen në mënyrë të logjikshme dhe jo më kot ky ekip është për të tetin vit me rradhë kampion i Shqipërisë”- ka thënë ai.Marashi është ndalur edhe tek atleti Izmir Smajlaj që edhe në këto gara bëri një paraqitje shumë të mirë duke u shpallur jo vetëm kampion në dy gara dhe njëkohësisht duke u vlerësuar edhe si sportisti më i mirë i kampionatit,por edhe për rekordin e thyer. “Izmiri edhe njëherë tjetër e tregoi veten dhe aftësitë që ka duke thyer një tjetër rekord. Po kalon një formë të shkëlqyer. Madje në këtë kampionat, nëse do të ishte treguar pak më i kujdesshëm në momentin e rrahjes në pedanë, do të kishte thyer rekordin edhe në garën e kërcimit së gjati. Unë shpresoj se ai do t’i tregoj vlerat e tij edhe në Olimpiadë”- ka shtuar më tej trajneri Albert Marashi.Titulli i tetë kampion rradhazi për këtë ekip sigurisht që është një arritje e madhe dhe tregon për punën e mirë që bëhet me sportistët ndonëse në kushte shumë të vështira stërvitore.
Gjergj KOLA