Sikur të mos mjaftonin problemet që lindën me humbjen e pësuar ndaj Flamurtarit në javën e parë të kampionatit, për stafin drejtues ka lindur një shqetësim tjetër. Bëhet fjalë për dëmtimet e portierit Vujadinoviç dhe të mesfushorit Gocaj. Ky I dyti nuk luajti as ndaj vlonjatëve dhe po zhvillon një stërvitje të diferencuar ndërsa I pari nuk është stërvitur fare me skuadrën në këto dy ditët e para të kësaj jave. Natyrisht që këto dëmtime janë një merak për trajnerët sepse konsiderohen pika të rëndësishme të skuadrës dhe një mungesë e tyre e mundshme në ndeshjen e rradhës me Kukësin, do të krijonte jo pak probleme për ta.

Portieri Vujadinoviç
Menjëherë pas ndeshjes me Flamurtarin ai ka ndjerë shqetësime në shpatull dhe për rrjedhojë mjekët e ekipit I kanë këshilluar pushim. Në seancën e së hënës ai ka qenë I pranishëm bashkë me futbollistët e tjerë por nuk është stërvitur ndërsa ditën e djeshme, ka munguar krejt. Sipas stafit mjekësor, nuk duket të kemi të bëjmë me ndonjë dëmtim shumë serioz megjithatë duhet pak kohë për rikuperim. Vujadinoviç konsiderohet një nga pikat më të forta të Vllaznisë dhe ai e tregoi formën e tij të mirë sportive edhe në ndeshjen me vlonjatët ku në 2-3 momente të rrezikshme arriti të shpëtonte portën nga pësimi I golave të tjerë. Vlerat e këtij portieri tashmë I dinë të gjithë dhe jo më kot, drejtuesit e klubit insistuan që ta marrin me çdo kusht në skuadër edhe për sezonin e ri, madje duke bërë një shpenzim më të madh financiar se për të gjithë futbollistët e tjerë. Shpresohet që dëmtimi aktual I tij të kalojë dhe ai të jetë I gatshëm për ndeshjen e rradhës me Kukësin. Mungesa e tij do ishte një problem I madh por nuk mendohet të ndodhë kështu.
Mesfushori Gocaj
Ai ka munguar edhe në ndeshjen hapëse të kampionatit. Një dëmtim muskular, ka bërë që mesfushori të ngrejë flamurin e bardhë. Megjithë përpjekjet e stafit mjekësor për ta rikuperuar, kjo nuk u bë dot e mundur. Jo vetëm kaq. Mesfushori Olsi Gocaj nuk duket ende I rikuperuar. Në dy ditët e fundit ai ka zhvilluar një stërvitje të diferencuar duke kryer disa vrapime të lehta rreth fushës. Sipas stafit mjekësor, këtij futbollisti do t’I duhen edhe disa ditë që ai të marrë formën e tij të plotë dhe të jetë I gatshëm. Objektivi është që ai të jetë në fushë në ndeshjen e rradhës dhe gjasat janë që të ndodhë kështu. Aktivizimi I tij duket I domosdoshëm duke parë faktin se në ndeshjen e parë mesfusha tregoi jo pak probleme dhe për këtë arsye, aktivizimi I Gocajt mund të krijojë njëfarë stabiliteti në lojën e kësaj skuadre. Gjithsesi deri të shtunën e ardhshme duhet parë se si do të shkojnë gjërat. Për momentin si Gocaj ashtu edhe Vujadinoviç duken se kanë probleme dhe nuk janë të gatshëm për t’u stërvitur me ekipin. Vllaznia ka nevojë për lojtarë me eksperiencë në këto momente prandaj dhe këto dy futbollistë duhet patjetër të jenë në fushë në Kukës.
Gjergj KOLA