Vllaznisë i kanë mjaftuar 45 minutat e para të ndeshjes për të mundur Apoloninë me rezultatin 2-0. Dy golat e Ndriçim Shtubinë në minutat 29 dhe 35, i kanë dhënë fitoren kuqebluve në një ndeshje që ishte konsideruar delikate nga ana e tyre. Fierakët ishin paraqitur mirë në ndeshjet e mëparshme të këtij kampionati dhe ky ishte një tregues që ata duheshin patur kujdes. Për më tepër që stadiumi “Loro Boriçi” në këtë ndeshje ishte i boshatisur për shkak të dënimit të kësaj fushe. Vllaznia nuk e nisi mirë ndeshjen por me kalimin e minutave situata erdhi duke u përmirësuar.
Në minutën e 29-të Shtubina pengohet brenda zonës nga portieri fierak dhe gjyqtari akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë është vetë Shtubina, i cili mbajti edhe shiritin e kapitenit në këtë takim, që do godiste saktë dhe do shënonte. 6 minuta më vonë, një aksion model i vendasve, topi shkon në zonë tek Shtubina që sërish nuk fal. Në pjesën e dytë nuk do kishte gola të tjerë, e kësisoj i gjithë takimi u mbyll me fitoren 2-0 të Vllaznisë. Trajneri i saj Raineri është i kënaqur me rezultatin e arritur ndërsa ai i Apolonisë, Demiri, ka patur rezerva për lojën e skuadrës së tij në pjesën e dytë. Me fitoren e sotme Vllaznia eshte ngjitur në kuotën e 5 pikëve duke mallkuar veten ndoshta për trepikëshin që i hoqi FIFA sepse sot do ishte në pozita komode në renditje dhe në fakt skuadra ka treguar se po funksionon.
Vllaznia- Apolonia 2-0
Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Mehmedoviç (Beqiri 72′), Sykaj, Baci, Tafili, Shala, Shtubina, Hajdari. (Kalaja 80′), Kruja (Dibra 70′), Sosa. Tr: B. Raineri
Apolonia: Cakoviç, A. Prifti, Nako, Atanda, Xhafa, Kaja, Erkoçeviq (Rajkoviç 46′), Dosti, Gerxho, Karakaçi (A. Prifti 79′), Canka. Tr: E. Demiri
Shenues: Shtubina 29′ (11-m), 35′
Kartona te verdhe: Baci/ Cakovic, Atanda, Dosti
Gjyqtare: E. Dyrmishi, R. Avdo, E. Doda (Tirane)
© shkodrasport.com