Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak Shkodër nuk ka dhënë përfundimin që pritej. Agron Çela dhe biznesmenët e tjerë ende nuk e kanë marrë në përdorim Vllazninë. Procedura është shtyrë për më 9 janar por ka shumë paqartësi për mënyrën si do funksionojë kjo gjë. Mbledhja ka nisur në orën 10.00 të paradites dhe deri në 12.00 është diskutuar mbi miratimin e buxhetit të vitit 2013. Miratimi I buxhetit ka marrë kohë me diskutime por edhe kundërshtime nga ana e opozitës por në fakt po aq kohë ka marrë edhe diskutimi për Vllazninë. Këshilltarë të ndryshëm kanë kërkuar fillimisht që para se të diskutohej për kalimin e klubit tek biznesmenët, të bëhej një analizë e vitit 2012. Të jepej llogari për paratë e hedhura dëm nga merkatoja e dështuar, të jepej llogari për dyshimet e trukimit të ndeshjeve dhe shumë gjëra të tjera. Diskutimet kanë vazhduar por t ë gjithë kanë pritur me interes diskutimin e dy prej këshilltarëve që ishin pjesë edhe e grupit prej pesë biznesmenëve që kanë kërkuar marrjen e Vllaznisë në përdorim. Xhevdet Amuli dhe Paulin Radovani e kanë bërë të qartë se nuk kanë ndër mend të hedhin asnjë lekë nëse ato nuk u njihen si aksione. Me t’u thënë kjo, rrjedha e ngjarjeve ka ndryshuar.I pari që ka folur ka qenë Radovani I cili është shprehur: “Dua të sqarojmë disa gjëra. Unë së bashku me katër biznesmenë të tjerë, kemi bërë një kërkesë për të marrë në përdorim Vllaznia por mendoj se ajo çfarë kemi kërkuar ne dhe ajo çfarë ofron Bashkia, janë shumë larg. Nga dokumentacioni që na është paraqit, lexoj se aksionet do mbesin sërish të Bashkisë 100 për qind pasi është ajo pronarja e klubit. Po ashtu, shoh se edhe paratë që do hedhëky institucion do njihen si aksione, ndërsa paratë që do hedhim ne si biznesmenë nuk do na njihen. Në kushte të tilla, pas 3 vitesh sa zgjat kjo kontratë, na nxjerrin sërish jashtë pa asnjë lekë të njohur. Prandaj dhe unë e shoh veten jashtë kërkesës që kemi bërë. Jam jashtë-loje në këto momente”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Amuli që ka thënë: “Ajo çfarë konstatoj unë është se kërkesa që kemi bërë ne, nuk përputhet askund me përgjigjen që na ka dhënë Bashkia. Unë personalisht kam menduar se lekët që do hidhnim për Vllazninë në këto momente, do të na njiheshin si kontribute në aksionet e saj. Kam 15 vjet që kontribuoj bashkë me shokë e miq të miq për futbollin apo dhe sporte të tjera dhe asgjë s’më është njohur. Tani nuk e bëj sërish të njëjtën gjë. Nëse zoti Çela është dakord ta marrë me këto kushte pa ia njohur lekët, hajt ta miratojmë këtë kërkesë dhe ai të vazhdojë punën. Unë s’jam dakord të vazhdoj kështu”.Zyrtarë të Bashkisë kanë shpjeguar se me ligj këto lekë që do hidhen nuk mund t’u njihen dhe po ashtu, edhe aksionet nuk mund të shiten sepse procedura është shumë e koklavitur.Megjithatë në fund të mbledhjes është miratuar në parim kalimi i klubit në përdorim të biznesmenëve por mbledhja e 9 janarit do shoshisë shumë paqartësi që ekzistojnë në lidhje me këtë kalim.
www.shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Vllaznia “shtyhet” për më 9 janar. Amuli e Radovani tërhiqen