Tek Vllaznia janë të detyruar të mos marrin asnjë masë ndëshkimore as për futbollistët dhe as për stafin. Fakti që në prag janë një seri ndeshjesh shumë të vështira, e bën të detyrueshme këtë gjë. Në këtë mënyrë, deri në janar, nuk do ketë asnjë lëvizje në skuadër. Vendimi për të vepruar kështu është marrë në takimin e zhvilluar dje në Bashki në mes drejtuesve më të lartë të klubit. Rreth mesditës, administratori I klubit Fatos Gjyrezi dhe drejtori sportiv Armir Grima, janë parë të ngjisin shkallët e Bashkisë dhe t’I drejtohen zyrës së kryebashkiakut Lorenc Luka që ndodhet në katin e dytë të këtij institucioni. Burime pranë Bashkisë bëjnë të ditur se në këtë takim është diskutuar me shumë shqetësim për situatën e krijuar pas eliminimit nga Kupa. është diskutuar gjerë e gjatë edhe për ndonjë masë që mund të merrnin si për futbollistët ashtu edhe për trajnerin. Konkluzioni I të gjithë diskutimeve thuhet të ketë qenë se nisur edhe nga pozitat ku ndodhet aktualisht skuadra, nuk duhet bërë asnjë ndërhyrje në të, as me ndëshkime dhe as me levizje në pankinë. Momenti nuk duket I përshtatshëm për asnjërën nga këto gjëra, për më tepër që Vllaznia ndodhet para katër ndeshjeve të rëndësishme me të cilat do të mbyllë fazën e parë të kampionatit. Mësohet se kryebashkiaku- president Luka u ka kërkuar dy drejtuesve të lartë të klubit të kenë kërkesë të lartë llogarie tani e tutje për skuadrën e stafin para dhe pas çdo ndeshje. Eliminimi nga kupa që ishte një nga objektivat e klubit, ka shkaktuar një “tërbim” të drejtuesve kuqeblu të cilët megjithatë kanë kërkuar të jenë të matur në vendimet që mund të merrnin sepse ato mund ta  ndikojnë për keq tek skuadra në prag të ndeshjeve të rradhës.
Takimi me skuadrën. Porositë e dhëna nga kryebashkiaku Luka I janë transmetuar skuadrës nga dyshja Gjyrezi- Grima pasditen e djeshme menjëherë pas mbarimit të seancës stërvitore. Në këtë takim përballë tyre ka qenë stafi I Vllaznisë me në krye trajnerin Duro dhe gjithë futbollistët. Nga sa bëhet e ditur, administratori Gjyrezi I ka kërkuar futbollistëve dhe stafit drejtues angazhim maksimal për të kaluar gjendjen e krijuar nga eliminimi prej kupës. Në takim kanë folur edhe të tjerët dhe tema e fjalëve të të gjithëve ka qenë përqendrimi maksimal për ndeshjen e nesërme me Tiranën. Futbollistë e trajnerë e kanë kuptuar përgjegjësinë e situatës së krijuar dhe kanë premtuar ndryshim të gjendjes dhe kthimin sërish në rezultatet positive. Nuk ka pasë asnjë komunikim të drejtuesve ndaj skuadrës për gjobë siç është shkruar në media dhe po ashtu, nuk ka pasë as presion për të fituar ndeshjet e rradhës se ndryshe, ata do ndëshkoheshin financiarisht. Në fund të takimit nuk kanë munguar as këshillat në adresë të futbollistëve për të mos nxjerrë asnjë “sekret” të skuadrës tek gazetarët. Në fakt, kjo duket e pakuptimtë sepse çfarë ka ndodhur deri tani tek Vllaznia, nuk ka qenë produkt I medias por I gabimeve që ka bërë vetë skuadra në ndeshje të veçanta.
E ardhmja. Takimi I mbrëmshëm ka nxjerrë konkluzionin e përgjitshëm që ndeshja me Tiranën është shumë e rëndësishme sa I takon ecurisë së skuadrës për të ardhmen. Një fitore ndaj bardhebluve do mbyllte shumë gjëra prandaj dhe në kampin shkodran për momentin do pllakosë heshtja. Kjo në fakt duket një zgjidhje e mirë megjithatë ato që vendosin për kthesën janë futbollistët dhe stafi drejtues. Nëse ata e vlerësojnë siç duhet ndeshjen, Vllaznia duhet të fitojë dhe të kthehet tek qetësia.
Gjergj KOLA