Skuadra shkodrane e nisi ashtu si duhet këtë vit duke e fituar ndeshjen e parë, pikërisht atë që luajti me Flamurtarin pasditen e së martës në “Loro Boriçi”, të cilën e fitoi me rezultatin 2-0.
Në këtë mënyrë Vllaznia arriti të fitonte një tjetër sfidë në stadiumin e saj duke thyer në njëfarë mënyre imazhin e keq që kishte krijuar këtë sezon me ndeshjet e luajtura aty në të cilat kishte pësuar plot 4 humbje dhe 2 barazime.
Triumfi ndaj vlonjatëve do t’u shërbejë si “nxemje” kuqebluve për sfidën e së shtunës ndaj Laçit. Padyshim që do të kemi të bëjmë me një përballje shumë herë më të fortë por në kampin shkodran janë të vendosur për ta kaluar me sukses këtë sfidë.
Me ndonjë përjashtim të vogël siç është mungesa e Shehit me kartona, pjesa tjetër e lojtarëve do të jetë në dispozicion të trajnerit Jonuz i cili do të ketë detyrë të hedhë në fushë formacionin më të mirë dhe të gjejë çelësin e suksesit edhe për këtë takim.
Një tjetër fitore edhe ndaj Laçit, përveçse do të shërbente për ta kaluar në renditje atë, më së shumti do të shërbente në aspektin moral dhe psikologjik të skuadrës.
Ashtu siç tregon në fazën e parë kur grumbulloi plot 15 pikë duke qenë ndër ekipet më të mira, këtë gjë Vllaznia duhet të tregojë sërish dhe nëse ndodh kjo gjë, atëherë në fund të sezonit do të flisnim për një skuadër që do renditej në vendet e para të klasifikimit. Ja pse tre pikët ndaj Laçit, do t’i bënin shumë punë kuqebluve…
© shkodrasport.com