Është e kot të flasësh për skenare apo situata të tjera, ndërkohë që Vllaznisë i duhet që të mendojë qysh sot për të ardhmen.
Jo vetëm për skuadrën, por edhe për menaxhimin dhe drejtimin për sezonin e ardhshëm.
Një pyetje që na mundon të gjithëve është: A do e lëshojë bashkia nga administrimi kur në horizont janë zgjedhjet lokale?
Megjithatë, Voltana Ademi e arriti qëillimin e saj, e dërgoi në Kategorinë e Parë, tashmë mbetet që të marrë masa për sezonin e ardhshëm ku kjo skuadër duhet të kthehet në nivelin e mëparshëm me qenë se është dhe “Djepi i futbollit shqiptar”.
Krahasimi vjen natyrshëm me Tiranën, skuadër që ra një vit më parë, por që e tentoi dhe e gjeti rikthimin në elitë. Por, Tirana ruajti boshtin e lojtarëve dhe bëri përforcime të pakta për të arritur suksesin.
Tashmë lind pyetja për Vllazninë, a do të mbajë ata lojtarë që ishin pjesë e formacionit që ra në një kategori më poshtë, apo për të harruar turpin duhet të fshihen dhe këta emra nga lista.
Normalisht, ka në përbërje emra cilësorë, si Sherri, Vucaj, Krymi, Bardulla e Sukaj. Megjithatë, nga ana tjetër pyesim: a do të pranojnë këta lojtarë që të luajnë në Kategorinë e Parë?
Mbetet për t’u parë, pasi Vllaznia ka shumë probleme. Duke nisur që nga e drejta e administrimit dhe aksioneve e deri te trajneri e lojtarët në fushë, Vllaznia duhet të kthehet në një kantier të vërtetë pune që kjo damkë të mund të harrohet shpejt. /EDS/