Pasditen e djeshme është mbyllur kampionati i 77-të kombëtar i futbollit i cili ka dhënë edhe verdiktet e tij ku Skënderbeu është shpallur kampion i Shqipërisë ndërkohë që Vllaznia është mjaftuar me vendin e gjashtë. Në pamje të parë mund të konsiderohet një sukses një renditje e tillë por në fakt nuk mund të jetë e tillë sepse tifozët shkodranë pretendojnë shumë më tepër nga skuadra e tyre e zemrës. Megjithatë, për vetë problemet që shfaqi ky sezon, një pozicionim i tillë në renditje mund të konsiderohet pozitiv.

Sezoni nis me një merkato të bujshme me 12 blerje të bëra por pas pesë humbjesh të pësuara në pesë javët e para të kampionatit, trajneri Luan Zmijani jep dorëheqjen. Drejtimin e ekipit e mori drejtori sportiv Armir Grima në një periudhë aspak të përshtatshme ku fondet për ekipin ende nuk ishin miratuar nga Këshilli i ri Bashkiak dhe për më tepër, mes drejtuesve të klubit dhe atyre të Bashkisë kishin nisur polemikat në distancë. Megjithatë Grima bashkë me futbollistët ia dolën me sukses të marrin plot 15 pikë në 13 ndeshjet e zhvilluara deri në fund të dhjetorit. Kjo periudhë më pas do të shoqërohej nga disa lëvizje shumë pozitive në klub dhe në skuadër. Tek kjo e fundit vjen në krye të saj Armando Cungu i cili bën një punë shumë të mirë me ekipin dhe në 18 ndeshje të luajtura do të merrte 24 pikë duke përfunduar në vendin e gjashtë në renditje në fund të kampionatit. Megjithatë, kjo nuk mjafton. Në ditët e ardhshme, pritet që drejtuesit e klubit dhe ata të stafit teknik të zhvillojnë një analizë të hollësishme në lidhje me sezonin që sapo përfundoi dhe ajo çka është më e rëndësishmja, të hidhen piketat për sezonin e ri që natyrisht duhet të jetë krejt ndryshe nga këto të këtyre pesë viteve të fundit.

© shkodrasport.com