Federata Shqiptare e Çiklizmit ka organizuar sot një tjetër aktivitet në nderim të një figure të njohur të këtij sporti. Pasi ka respektuar më parë Brahim Sykën në Shkodër dhe Muharrem Hametin në Vlorë, sot në Fier është nderuar ish- çiklisti i Apolonisë Fred Simoni. Për këtë arsye, në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti, është organizuar kupa me emrin e tij. Vetë protagonisti i saj- Simoni, kishte ardhur enkas nga Kanadaja ku jeton prej vitesh dhe natyrisht që është shprehur i emocionuar për respektin e bërë.
Sa i takon garës, ajo ka patur itinerarin Fier- Lushnjë- Ardenisë, 60 km e gjatë. Fakti që gara do të mbaronte në maloren e Ardenicës, e bënte më interesante atë. Dhe kështu ka ndodhur. Me të nisur malorja, ka patur shkëëputje të njëpasnjëshme të sportistëve teksa në fund, më të mirët kanë rezultuar Amarildo Goga i Apolonisë dhe dy çiklistët e Vllaznisë Bruno Kola dhe Astrit Kronaj. Duke njohur më mirë terrenin, çiklisti fierak ka arritur të prekë i pari vijën e mbërritjes ndërkohë që dy të tjerët kanë ndarë vendin e dytë dhe të tretë. Jo shumw larg tyre, ka qenw edhe treshja tjetwr shkodrane Gjergj Zefi, Kledison Cani e Sion Gjoka. Vllaznia nw kwtw mwnyrw wshtw shpallur ekipi mw i mirw edhe i kwtij aktiviteti. Në fund të aktivitetit, ceremonia përmbyllëse e kësaj gare është zhvilluar në qendrën e qytetit të Fierit dhe përveç ngjitjes në podium të tre fituesve të kësaj kupe, apo dhënies së dy diplomave për çiklistin më aktiv nga të rinjtë dhe atë në moshën më të re, ka patur edhe një kupë dhe mirënjohje për Fred Simonin nga trajneri i Apolonisë Kiço Kalemi dhe shefi i këtij klubi Paljon Zarka. Nuk ka munguar as mirënjohja nga ana e Federatës Shqiptare të Çiklizmit për protagonistin e kësaj kupe, e cila u dorëzua nga presidenti Skënder Anxhaku. Ky i fundit në fjalën e tij ka bërë të ditur se pas këtij aktiviteti, e gjithë vëmendja e opinionit sportiv duhet të jetë e përqendruar tek Xhiroja e Shqipërisë që starton më 20 maj dhe në të cilin sivjet marrin pjesë 20 ekipe të huaja.
© shkodrasport.com