Vllaznia nuk ia del as në finalen e tretë dhe Partizani pas 38 vitesh shpallet sërish kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj.
Një titull mëse i merituar për të kuqtë që në momentet më deçisive të kampionatit, u treguan më profesionistë dhe duke shfrytëzuar aftësitë e tyre siç duhet, ia dolën të ngrenë kupën në fund.
Vllaznia shpresonte që sot t’ia shtynte festën e titullit kundërsharit por për asnjë moment nuk është ngjitur në lartësinë e duhur dhe është mundur me rezultatin e pastër 3-0. Kuqeblutë nuk janë ngjitur për asnjë moment aty ku duhet, duke mos arritur për asnjë moment të vihet në udhëheqje të rezultatit.
Madje në setin e fundit, ata kanë lëshuar gjithçka dhe janë mundur me rezultatin e thellë 25-12 duke bërë që menjëherë më pas ka nisur festa në kampin e kuq.
Ekipi shkodran padyshim që duhet të nxjerrë mësimet e veta nga fundsezoni por ajo që mbetet është mundësia që humbi për të fituar titullin e dytë kampion në historinë e tij.
Tjetër gjë që të vjen keq është se sot 1 mijë tifozë shkodranë ishin në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për të mbështetur kuqeblutë por në fund u zhgënjyen prej tyre.
© shkodrasport.com