“Formacioni fitues nuk ndryshohet”, kjo ka qenë shprehja që është përdoruar shpesh nga trajnerët por në fakt, duket se tek Vllaznia ai nuk ndryshohet as kur skuadra barazon. Çka do të thotë se edhe pas barazimit të javës së kaluar me Besëlidhjen, trajneri Lika ka ndër mend të luajë edhe ndaj Veleçikut me të njëjtën 11-she siç ka luajtur edhe në këto katër ndeshjet e fundit.

Që prej ndeshjes së parë të fazës së dytë të kampionatit, asaj me Korabin, për të vazhduar me takimin me Burrelin në Shkodër, me Dinamon në Tiranë e së fundmi me Besëlidhjen, kuqeblutë kanë luajtur me të njëjtin formacion. I njëjti pritet të jetë edhe ndaj Veleçikut.

Duke filluar nga Sherri në portë, për të vazhduar me treshen e mbrojtjes të përbërë nga Zeqaj, Malota e Ignat. Para tyre do jenë sërish Gurishta e Gocaj. Në qendër të mesfushës do jetë dyshja Krymi- Tafili ndërsa para tyre Lika, Hajdari dhe në majë të sulmit Zhunior.

Në “Reshit Rusi” të shtunën skuadra shkodrane do të kërkojë padiskutim fitoren për ta mbyllur kësisoj me sukses gjysmën e parë të kampionatit. Ajo e ka fituar të drejtën për t’u shpallur “kampion dimri” i grupit A të kategorisë së parë, megjithatë për momentin e rëndësishme është të ruhet ose të thellohet më shumë distanca me Erzenin e Shijakut.

Kujtojmë këtu se difernca aktuale me këtë ekip është 5 pikë ndërkohë që ndaj tij do të luhet ndeshja e parë në fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm. Kampionati pritet të jetë më i fortë në gjysmën e dytë të tij dhe për këtë arsye, duhet që Vllaznia të bëjë mirë që prej kësaj jave e në vazhdim. Natyrisht pa menduar për lëvizjet që mund të bëhen në merkaton e janarit ku skuadra mund të përforcohet edhe më shumë me lojtarë të tjerë.
© shkodrasport.com