Ndeshja e ardhshme e Vllaznisë në Shkodër, ajo ndaj Skënderbeut, nuk do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”. Arsyeja është se ditën e djeshme në fushën e këtij impianti sportiv është bërë mbjedhja e barit të ri. Ajo është shoqëruar me hedhjen e sasie të madhe rëre që është e nevojshme në raste të tilla.

Për këtë arsye, tashmë duhet pritur dalja e barit të ri por gjithsesi për një periudhë dyjavore është e sigurtë që akush nuk mund të shkelë në fushë. Kjo do të thotë se ndeshja me Skënderbeun nuk do të luhet në stadium por diku tjetër. Mbetet për t’u parë vetëm nëse do të luhet në “Reshit Rusi” apo në ndonjë qytet tjetër. Interesant është fakti se e njëjta histori ka ndodhur edhe një vit më parë dhe pikërisht përpara ndeshjes me Skënderbeun. Edhe atëherë fusha e “Loro Boriçit” u mbyll dhe dy ekipet ranë dakord që ndeshjen të cilën do të luanin në Shkodër, ta zhvillonin në Korçë dhe atë të fazës së dytë në qytetin verior. Kështu ndodhi por në fakt, që prej asaj ndeshje, Vllaznia mori tatëpjetën sepse e filloi mirë kampionatin por më pas rezultatet nuk ishin të mira. Se çfarë do të ndodhë këtë herë, mbetet për t’u parë. Drejtuesit e Vllaznisë në fakt kanë një merak tjetër, atë se do të bëhet fusha gati për ndeshjen e parë të fazës së dytë, atë me Lushnjën apo jo. Kjo sfidë do të luhet sipas kalendarit menjëherë pas ndeshjes me korçarët dhe padyshim janë përballje që duhen fituar. Por nga ana tjetër, të bën përshtypje fakti që fushës së stadiumit “Loro Boriçi” duhet t’I hidhet farë e re çdo vit. Firma greke që e ka shtruar atë ka deklaruar se bari është I tillë që duhet mbjedhë I riu çdo vit por kjo nuk duket aspak normale.
© shkodrasport.com