Java e 18-të e Kategorisë Superiore ofron një numër të madh ndeshjesh interesante, 5 takime të cilat do të luhen ditën e diel. Ndeshjet janë ndarë në dy fasha oraresh, me 4 prej tyre që do të luhen në orën 13:00 dhe vetëm një në orën 16:00. Debutimi i Peter Paculit në krye të stolit të Kukësit, nisi shkëlqyeshëm duke fituar 3-1 në transfetën ndaj Vllaznisë, ndërkohë ndalesa e radhës për ta do të Flamurtari. Verilindorët do të presin në shtëpi kuqezinjtë të cilët gjithashtu, do të udhëtojnë në transfertë pas fitores minimale në sekondat e fundit ndaj Partizanit.
Ndeshje kjo që pritet të prodhojë emocione të mëdha.
Për Vllazninë parashikohet sërish një 90-minutësh tepër i vështirë, përballë Skënderbeut. Të dy ekipet vinë nga humbja, me kuqeblutë që u mposhtën në shtëpi nga Kukësi, ndërsa klubi korçar u ndal nga Luftëtari në Gjirokastër.
Vllaznia do të kërkojë befasinë ndaj kryesuesve, ndërkohë këta të fundit do të mundohen të ruajnë distancën nga vendi i dytë.
Laçi-Teuta është ndeshje tjetër e javës së 18 të kategorisë superiore. Kurbinasit duan të rikthehen tek fitorja pas humbjes në transfertën e Kamzës, në mënyrë që të ruhet zona europiane, ndërkohë pritet dhe reagimi nga ana e Teutës që u ndal në barazim 2-2 në ndeshjen nda Lushnjës.
Lagunarët do të presin në shtëpi Luftëtarin, që po kalon një moment të shkëlqyer në kampionat. Skuadra e Hysen Dedjes shihet si më inferiorja, por ka kapacitete për të befasuar dhe këtë e ka treguar më shumë se një herë.
E diela do të mbyllet me ndeshjen Partizani-Kamza. Për të kuqtë pritet një ndeshje tepër e vështirë, ndaj një kundërshtari i cili ndeshjen e parë të 2018 e nisi me një fitore të pastër 3-1 ndaj Laçit.
Gjithashtu dhe për skuadrën e Starovës pritet një lloj reagimi, edhe pse misioni nuk është aspak i lehtë.
E Diel 13:00
Kukësi-Flamurtari
Skënderbeu-Vllaznia
Laçi-Teuta
Lushnja-Luftëtari
E Diel 16:00
Partizani-Kamza