Të premten e 24 gushtit ata do përballen me njëri- tjetrin. Qëllimi do jetë I njëjti: ta nisin me fitore kampionatin e ri me skuadrat e tyre respective. Shpëtim Duro do kërkojë ta nisë me fitore debutimin për herë në parë në pankinën e Vllaznisë ndërsa Mirel Josa me të njëjtin objektiv rikthimin për herë të tretë në Korçë. Por në fakt, një sezon më parë, këta dy trajnerë të njohur kanë qenë në pankinat e kundërta.
Josa e nisi në krye të kuqebluve sezonin e mëparshëm dhe pavarësisht se rezistoi ndaj problemeve të shumta që e shoqëruan skuadrën pas ndryshimit të presidencës, ai nuk e zgjati shumë qëndrimin në krye të saj veçse disa javë. Nga ana tjetër, Duro tek “ujqërit e dëborës” ka zgjatur edhe më pak sepse presidenca nuk mund t’I lejonte atij një start jo si kampionë në fuqi dhe prandaj e larguan. Pas këtyre largimeve, në adresë të tyre nuk munguan ofertat gjatë gjithë sezonit nga skuadra të ndryshme megjithatë si Duro ashtu edhe Josa preferuan të qëndrojnë pushim. Në pritje të projekteve të reja dhe në fakt, vera e nxehtë e këtij viti I ka gjetur ata në pankina të tjera. Duro pas kontakteve të shumta me drejtuesit shkodranë vendosi të marrë drejtimin e Vllaznisë. Natyrisht me një projekt të ri në kokë. Në fillim shumëpak kush besoi tek ky projekt që kërkonte një shndërrim total të skuadrës nga ajo e sezonit të kaluar. Megjithatë, falë një bashkëpunimi të ngushtë me drejtorin sportiv Armir Grima, ia arritën të ndërtojnë një skuadër që konsiderohet pretendente për sezonin e ri. Në Shkodër besojnë tek projekti I këtij trajneri por edhe duan që ai të mbajë përgjegjësi nëse gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. Me ardhjen së fundi të sulmuesit kosovar Rexha, ka shkuar në 11 numri I blerjeve të bëra nga Vllaznia gjatë merkatos së verës. Një skuadër e tërë. Në Bashkinë Shkodër mendojnë se Duro duhet të arrijë me çdo kusht objektivin për të qenë mes tre ekipeve më të mira të vendit në fund të sezonit, përderisa ia kanë plotësuar të gjitha kërkesat. Në Korçë ndërkohë ka shkuar Josa dhe ai ka të njëjtin presion. Skënderbeu ka fituar titullin kampion dy sezonet e fundit dhe të gjithë presin edhe një të tretë por në fakt gjërat nuk do jenë kaq të lehta. Zëvendësimi I presidentit dhe largimi I disa lojtarëve cilësorë, janë argumente që tregojnë se trajneri tiranas nuk do ta ketë të lehtë. Megjithatë korçarët duan sërish titullin kampion. Presioni ndaj Mirelit do jetë I madh. Prandaj atij I duhet të fitojë. Duke nisur nga ndeshja e parë me Vllazninë. Duhet të mundë Duron në pankinën tjetër por ky I fundit është edhe më shumë I motivuar. Në Shkodër kanë filluar ta konsiderojnë një festë të vërtetë këtë ballafaqim me kampionët në fuqi. Për tifozët shkodranë, ka keqardhja që Josa do ta nisë punën tek Skënderbeu me humbje megjithatë tashmë ky trajner I përket një skuadre tjetër dhe është kundërshtari për t’u mundur. Ndryshimet e trajnerëve në krye të këtyre dy skuadrave kanë ndryshuar shumë gjëra. Por vetëm diçka jo: Konceptin e të fituarit të çdo ndeshje. Prandaj më tepër se një ballafaqim Duro- Josa, duket se do kemi një ndeshje Vllaznia- Skënderbeu. Spektakti është I garantuar dhe kjo ka më shumë rëndësi për ndeshjen e hapjes së kampionatit të ri.
Gjergj KOLA