Ndeshja e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Skënderbeut, nuk do luhet të enjten siç ka qenë e planifikuar por një ditë më pas. Drejtuesit e Vllaznisë kanë bërë një kërkesë për ta shtyrë ndeshjen ndaj Skënderbeut për 24 orë dhe kjo kërkesë është miratuar nga ana e FSHF-së. Arsyeja ka qenë problemi i fushës së stadiumit që është pjesërisht sërish i mbuluar me dëborë. Pas reshjeve të shiut që kanë rënë mbrëmë dhe sot, ajo ka filluar të shkrijë megjithatë do ende për ta kthyer në normalitet atë. Duke menduar se gjendja e fushës do vijë duke u përmirësuar, shkodranët kanë kërkuar ta shtyjnë edhe për një ditë tjetër.
Pra ky takim tashmë do luhet jo të enjten por të premten në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. E rëndësishme është që do luhet në Shkodër dhe nuk do shtyhet për më tej. Vëmendja e drejtuesve të klubit, asaj të skuadrës, futbollistëve por edhe e tifozëve është e përqendruar e gjitha në këtë sfidë që përcakton në përqindjen më të madhe fatin e kuqebluve për garën e mëtejshme të kupës.
www.shkodrasport.com