Kalendari i kampionateve kombëtare të volejbollit si për femra ashtu edhe për meshkuj, ka dhuruar dy ballafaqime Vllaznia- Skënderbeu këtë fundjavë. Pikërisht të shtunën do të luhen këto dy takime në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Të parat do të zbresin në parketin e këtij pallati ekipet e femrave, pikërisht në orën 11.00 të paradites. Skënderbeu ka një ekip më të mirë teksa pas tre javëve të para të kampionatit, ka grumbulluar gjashtë pikë pas dy fitoreve dhe një humbje të arritur. Vllaznia ndërkohë ka fituar vetëm një ndeshje, atë të fundit në Peshkopi ndaj Korabit vendas javën që shkoi dhe ka tre pikë në renditje. Kapitenia e këtij ekipi Ana Gjelaj ka deklaruar se Vllaznia do të tentojë të tjera fitore në kampionat, duke filluar nga kjo javë kundër korçareve. Pas ndeshjes së femrave, do të zhvillohet ajo e meshkujve. Ajo do të nisë në orën 14.00 sigurisht që shkodranët e trajnerit Artan Kalaja janë favoritë për ta fituar këtë ndeshje. Ata duan të bëjnë një autokritikë për paraqitjen jo të mirë të bërë në ndeshjen e javës së kaluar me Tiranën në Shkodër të cilën e humbën në shifrat 2-3. Për meshkujt, kjo është java e tretë e kampionatit.
www.shkodrasport.com