Ardhja e Rudi Vatës në krye të Vllaznisë është pritur mirë nga opinioni sportiv shkodran. Vetë emri i tij krijon respekt për të gjithë e prandaj tashmë pritet edhe një prezantim dinjitoz i tij në pankinë si trajner. Debutimi i tij do jetë pikërisht sot pasdite në orën 16.00 në “Loro Boriçi” ku Vllaznia do presë ekipin e Bylisit në kuadër të javës së tetë të Superligës shqiptare.

Formacioni shkodran do ketë mungesa në këtë ndeshje megjithatë trajneri Vata nuk ka dashur të merret shumë me to. Ai i ka kushtuar rëndësi përgatitjes së ekipit për ndeshje dhe kuptohet që të gjithë duan fitoren në këtë takim. Një fitore që natyrisht do i kushtohet edhe Rudi Vatës për t’i uruar atij suksese në detyrën e vështirë që ka marrë përsipër.