Skuadra shkodrane nga pasditja e sotme do të nisë përgatitjet për sfidën e rradhës, atë që do të luhet ditën e shtunë në Vlorë ndaj Flamurtarit. Ditën e djeshme futbollistët kanë qenë pushim ndërsa përpara seancës së sotme mendohet të ketë edhe një analizë të ndeshjes së fundit me Laçin. Në fakt duhet të jetë një analizë e zgjeruar sepse ajo humbje është konsideruar fatale dhe padiskutim që i ka prishur jo pak punë skuadrës në ecurinë e mëtejshme në kampionat.

Në këtë seancë do të shikohet edhe gjendja e mbrojtësit Pjeshka i cili ka rreth tre javë që i mungon skuadrës për arsye dëmtimi dhe ende nuk është e sigurtë nëse do të luajë apo jo në Vlorë. Në pamje të parë takimi ndaj Flamurtarit konsiderohet shumë i vështirë dhe ndoshta edhe marrja e pikëve mendohet e tillë por në rradhët e kuqebluve ka besim se mund t’ia dalin. Trajneri Gjoka po mundohet që të mos ulë anën morale të skuadrës por po injekton idenë tek futbollistët se vetëm ata mund ta nxjerrin Vllazninë nga situata aktuale ku ndodhet. Pozicionimi në vendin e tetë në renditje nuk e justifikon aspak mbështetjen e tifozëve të zjarrtë të kësaj skuadre apo dhe investimin e bërë nga Bashkia. Gjjithsesi gjërat duhet të ndryshojnë sa më parë sepse nesër pastaj do të jetë vonë.
© shkodrasport.com