Gjergj KOLA
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Vllaznia, sot ndaj Kastriotit prova e fundit për futbollistët e rinj
Vllaznia, sot ndaj Kastriotit prova e fundit për futbollistët e rinj
Në ndeshjen e sotme, atë të fundit të kampionatit, që do të luhet ndaj Kastriotit, do të luajnë sërish futbollistët e rinj. Trajneri Artan Bushati nuk ka ndër mend të ndryshojë gjë këtë herë duke iu rikthyer aktivizimit të gjithë futbollistëve të rinj ndryshe nga takimi i një jave më parë në Vlorë. Arsyeja pse do veprojë kështu ka të bëjë me atë se kjo mund të jetë edhe prova e fundit për shumë prej këtyre futbollistëve të rinj. Nëse ata nuk bindin as në këtë ndeshje, e sigurtë është që nuk do mbahen më në skuadër. Ideja e stafit drejtues është se shumë prej këtyre futbollistëve nuk ka dhënë asgjë çfarë pritej realisht prej tyre. Flitet shumë për lojtarë të talentuar por realiteti duket ndryshe. Disa prej këtyre futbollistëve, pavarësisht se kanë të dhëna për t’u bërë futbollistë të mirë, nuk i japin vetes. Janë kënaqur me faktin se kanë kaluar tek ekipi i parë dhe kaq. Në kushte të tilla, ata nuk do vazhdojnë të jenë më pjesë e Vllaznisë. Deri më tani, të paktën nga shenjat që kanë dhënë, e sigurtë që do jenë pjesë e skuadrës edhe sezonin e ardhshëm do jenë vetëm Bardulla, Marku dhe Kruja. Të tjerët kanë lënë shumë për të dëshiruar duke mos e bindur plotësisht stafin drejtues. Mbase ndeshja e sotme me Kastriotin do jetë prova e fundit për këta futbollistë të rinj për ta bindur Bushatin dhe stafin e tij. Ndërkohë formacioni me të cilin do luajë Vllaznia sot ndaj krutanëve pritet të jetë ai që doli në fushë ditën e martë në kupën “Dodë Tahiri” ndaj Adës. Që do të thotë se në portë do jetë Hallunaj, në mbrojtje Rusi, Balaj, Marku e Dema. Në mesfushë pritet të luajnë Kruja, Borshi, Markolaj e Shkjau, para tyre Bardulla që mendohet të jetë edhe kapiteni i skuadrës dhe në sulm Guri. “Mendoj se futbollistëve të rinj u është dhënë shumë shansi këto ndeshjet e fundit për të treguar vlerat. Do ua japim edhe në këtë ndeshje të fundit me Kastriotin për të bindur edhe ata veten se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Vllaznia ka nevojë për lojtarë të pjekur dhe jo për lojtarë që kënaqen me pak dhe nuk japin asgjë nga ato çfarë pritet prej tyre në fushën e lojës”- ka thënë Bushati. Sa i takon ndeshjes, sigurisht që do kërkohet fitore për ta mbyllur me tre pikë këtë kampionat që në fakt prodhoi jo pak dështim për këtë skuadër. Ajo e nisi me shumë pretendime sezonin dhe po e mbyll diku në mesin e tabelës së renditjes, pa arritur asnjë nga objektivat e saj.