Pasditen e sotme, skuadra shkodrane do të luajë në Elbasan ndaj skuadrës vendase në kuadër të ndeshjeve të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Kuqeblutë kanë lënë që dje qytetin e tyre duke u sistemuar në Elbasan dhe me ekipin kanë udhëtuar të gjithë futbollistët me përjashtim të sulmuesit Sinani që ka një dëmtim të vogël dhe është lënë pushim nga ana e stafit si dhe të portierit Vujadinoviç që po kalon një gjendje gripale. Të tjerët do jenë të gjithë të gatshëm dhe trajneri Josa do mundohet të hedhë në fushë një alternim të disa lojtarëve titullarë me të tjerë të stolit por objektivi është i qartë: fitorja e këtij takimi. Fakti që luhet me sistem grupi, nuk të lë mundësinë e llogaritjes së kualifikimit për në ndeshjen e kthimit siç ndodh zakonisht në ndeshje kupe. Tashmë duhen grumbulluar sa më shumë pikë sepse Elbasani natyrisht është skuadra më e dobët e grupit D ku bëjnë pjesë edhe Dinamo dhe Bylis. Përveç ndeshjes Elbasani- Vllaznia, sot luhet edhe takimi tjetër i këtij grupi ai mes Bylisit dhe Dinamos.