Kuqeblutë nuk e kanë patur ditë pushimi këtë të sotmen, përkundrazi menjëherë kanë dalë në stërvitje ndonëse pasditen e djeshme kanë qenë në fushë për ndeshje. Programi i ngjeshur i takimeve zyrtare, nuk u ka mundësuar atyre të “marrin frymë” dhe për këtë arsye, ditën e sotme ekipi ka qenë në stërvitje duke zhvilluar seancën e rradhës në palestër. Ajo është bërë nën drejtimin e trajnerit të përgatitjes atletike Gjergji Poloska. Ndërkohë ditën e nesërme është planifikuar seanca e rradhës e cila me shumë mundësi do të zhvillohet jo në fushën e Golemit por në “Reshit Rusi”.
Koha shumë e keqe që ka mbizotëruar sot në Shkodër por që pritet të jetë edhe nesër, e bën të vështirë stërvitjen në një fushë me bar natyral dhe për këtë arsye, ajo mund të spostohet për në fushën me tapet sintetik të “Reshit Rusit”. Skuadrës i kanë mbetur edhe dy ditë në dispozicion për t’u bërë gati për sfidën me Laçin dhe padyshim që duhet shumë punë, edhe në aspektin psikologjik sepse menjëherë sapo ajo u çlirua paksa pas dy fitoreve rradhazi në kampionat, erdhi loja e dobët dhe humbja në kupë me Tiranën. Megjithatë për sfidën e së dielës nuk ka justifikim dhe ajo patjetër që duhet fituar.
© shkodrasport.com