Fatet e Vllaznisë së ardhshme do të vendosen sot. Kthimi I presidentit Agron Çela nga pushimet disaditore jashtë vendit, do të shoqërohen me një takim të mundshëm të tij me kryebashkiakun e Shkodrës Lorenc Luka. Të paktën kështu thuhet nga burime pranë institucionit të pushtetit lokal. Mundësia e ndryshimit tek Vllaznia në krye të saj është e madhe megjithatë duhet parë se çfarë do ndodhë pikërisht pas kësaj bisede.
Ajo çfarë pritet të jetë tema kryesore e kësaj bisede, mendohet të jenë borxhet që klubi ka ndaj futbollistëve dhe palëve të treta për të sqaruar se faji I kujt është për të. Po ashtu, pritet të diskutohet edhe e ardhmja e Çelës tashmë që është zgjedhur deputet. Ka fjalë se atij nuk I lejohet ushtrimi I detyrës së presidentit të Vllaznisë, ngaqë kjo është një pronë e Bashkisë Shkodër.Nëse është vërtetë kështu, vetë ai ka hedhur idenë e transferimit të këtij posti tek I vëllai I tij megjithatë duhet parë ana ligjore. Temat e diskutimit mund të jenë të shumta megjithatë e rëndësishme është se ka shumë gjëra për t’u thënë në këtë takim. Kuptohet për të mirën e Vllaznisë.
Bashkia. Ajo hasi në vështirësi në administrimin e klubit të futbollit dhe për rrjedhojë I bëri thirrje biznesit për t’u ofruar dhe për të bashkëpunuar në të mirë të Vllaznisë. I vetmi që u ofruar dhe pranoi ishte biznesmeni I njohur, tashmë edhe deputet, Agron Çela. Ai firmosi me Bashkinë një kontratë bashkëpunimi për 2 vjet e gjysëm ku ai merrte përsipër 60 % të shpenzimeve të skuadrës ndërsa 40 % do përballoheshin nga Bashkia. Kjo e fundit, e përcaktoi qartë edhe në akt- marëveshjen dypalëshe se për vitin 2013 kishte planifikuar 200 milionë lekë të reja. 300 të tjerat duhej t’I hidhte biznesmeni Çela. Për rrjedhojë nisi puna dhe Këshilli Bashkiak Shkodër aprovoi 100 milionëshin për 6 mujorin e parë të këtij viti. Ai u miratua dhe thuhet të jetë harxhuar gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Në muajin prill ndërkohë, Këshilli Bashkiak ka miratuar edhe një shtesë fondi prej 20 milionë lekësh të vjetra, fond që ende nuk është lëvruar sepse thuhet që është bllokuar në Degën e Thesarit. Megjithatë drejtues të Bashkisë shprehen se I kanë paguar të gjitha detyrimet e tyre konform akt- marëveshjes, pavarësisht se situata financiare tek Vllaznia nuk është e mirë.
Çela. Bashkia thotë se është në rregull me detyrime e saj, por të njëjtën gjë deklaron edhe presidenti Agron Çela. Në një prononcim të tij të para dy javëve madje ai akuzonte Bashkinë Shkodër për bllokimin e një fondi prej 50 milionë lekësh në Thesar, çka sipas tij ka sjellë edhe problemin e mospagesës së futbollistëve. Ai ka qenë në fushatë deri pak ditë më parë. Më pas, u largua jashtë vendit për vetëm pak ditë pushime dhe sot do kthehet. Me projekte të mëdha në mendjen e tij. Megjithatë para se të nisë zbatimin e tyre, do t’I duhet të ulet e të bisedojë me kryebashkiakun Luka për të sqaruar njëherë e mirë pozicionin e palëve dhe atë se çfarë do bëhet për të ardhmen. Takimi mund të sjellë edhe të reja të tjera megjithatë duhet pritur deri pas përfundimit të tij. Pritet të diskutohet edhe e ardhmja e Çelës si president tashmë që ai është zgjedhur deputet nëse e lejon apo jo ligji të mbajë edhe këtë post megjithëse ai vetë ka thënë se nuk ka asnjë pengesë. Gjërat janë për t’u parë imtësisht dhe rëndësi ka që Vllaznia e re të nisë puna menjëherë pas këtij takimi të sotëm sepse nuk ka më kohë për të humbur.
Gjergj KOLA
President- deputet, a e lejon ligji këtë gjë?
Biznesmeni Agron Çela tregoi se di të jetë I suksesshëm edhe në politikë. Ai, pas një fushate elektorale model, duke kandiduar si numri 1 I LSI-së në Qarkun Shkodër fitoi bindshëm mandatin e deputetit për parlamentin e ardhshëm. Por ky mandat, mund t’I kushtëzojë atij postin e presidentit të Vllaznisë. Fakti që deputetët s’duhet të kenë lidhje me fondet shtetërore, mbase ia privon mundësinë e drejtimit të klubit ngaqë një pjesë e fondeve të klubit hidhen nga Bashkia Shkodër, e cila është pronarja me 100 për qind të aksioneve të këtij klubi. Vetë Çela mendon se nuk ka asnjë problem këtu ngaqë sipas akt- marëveshjes të firmosur me Bashkinë, ai nuk ka të drejtë fitimi nëse klubi del mirë nga ana financiare. Një tjetër opsion që ka dalë në skenë është ai I kalimit të postit të presidentit tek I vëllai I tij megjithatë kjo gjë duhet të marrë aprovimin e kryebashkiakut Luka fillimisht dhe më pas të Këshillit Bashkiak. Gjërat janë për t’u parë dhe mbase ekziston mundësia që takimi I sotëm të shoqërohet edhe me tërheqjen përfundimtare të presidentit Çela nga ky post drejtues tek Vllaznia.