Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj ka dhuruar spektakël pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në prani të një numri të madh sportdashësisht, basketbollistët shkodranë të drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj kanë nxjerrë një ndeshje të përkryer ndaj ekipit të klubit Tirana duke e mundur atë me rezultatin e thellë 108-66. Në fakt duket disi e pamundur një fitore e tillë duke pasë parasysh faktin se kundërshtari i Vllaznisë në këtë ndeshje mbante vendin e dytë në renditje megjithatë loja e shkodranëve ka qenë mbrësëlënëse në këtë ndeshje.
Mbi të gjitha ka rënë në sy saktësia e madhe në gjuatjet trepikëshe. Aq sa janë shënuar mbrëmë nga kjo distanca kishte kohë që nuk shënoheshin. Të gjithë ishin të saktë, mbi të gjitha malazezi Nikolla Gjokoviç që ka dhuruar vërtetë spektakël. Pa lënë mënjanë edhe saktësinë në gjuajtje të maqedonasit Markovski, lojën shumë të mirë të organizatorit Dragiçeviç dhe efektivitetin e lojës në tabelë të shtatëlartit Kovaç. Këto katër sportistë, të alternuar edhe me Berdicën, Ndojën që bëri një ndeshje të shkëlqyer apo më pas edhe me Taraboshin, Shestanin, Bekteshin, Hallunin e Hutin kanë bërë që të gjithë të ndjehen mirë në këtë takim duke marrë shumë duartrokitje. Perioda e parë në fakt ka patur njëfarë rivaliteti dhe Vllaznia e fitoi atë 23-19. Në të dytën trajneri Gjeçaj ndryshon diçka në mënyrën e të luajturit dhe epërsia vjen duke u rritur teksa kjo periodë fitohet 24-13. Këtu duket se gjithçka ka marrë fund. Dominojnë në fushë shkodranët që e dërrmojnë kundërshtarin në periodën e tretë që mbyllet 36-19 dhe po ashtu edhe në të katërtën 25-15. Në këtë mënyrë, me rezultatin e përgjithshëm 108-66, është mbyllur kjo ndeshje teksa Vllaznia arrin objektivin duke kaluar në vendin e dytë në renditje.
Gjergj KOLA