Vllaznia – Peja është ndeshja e Ligës Ballkanike në basketboll për meshkuj, e cila të martën, në ora 18:00, do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar nga Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”.
Vllaznia ka bërë ndryshime tanimë, ndërsa në krye të skuadrës është vënë malazezi Darko Vujaçiç. Po kështu përforcimi më i fundit në lojtarë ka qenë malazezi tjetër, Petar Kusovaç. Vllaznia në Ligën Ballkanike në pesë ndeshje ka vetëm një fitore, atë me Rahovecin në Shkodër, 73-68, si dhe katër humbje.
Ndër të cilat një në Shkodër, përballë malazezëve të Ibar Rozhajes, 64-65, si dhe me Pejën 67-78, përsëri me Ibar Rozhajen, këtë herë në fushën e kësaj të fundit, 93-75, e më pas dhe me bullgarën e Akademik Bulteks 99, 91-74.
Sakaq Peja ndodhet në vendin e dytë me tre fitore dhe tre humbje. Këtë ndeshje do ta gjykojë boshnjaku Haris Bijediç, si dhe grekët Dimitrios Bitis dhe Kostantinos Xenikakis.
Të gjithë shpresojnë që Vllaznia ta nisë me këmbë të mbarë vitin 2020, ndërsa pas Pejës ka dhe dy ndeshje të tjera në Ligën Ballkanike, më 22 janar në transfertë me Rahovecin dhe më 29 janar pret bullgarët e Akademik Bulteks 99.
Gjergj VYSHKA