Vllaznia e ka nisur javën me një stërvitje intensive. Në ditën e parë të saj, stafi teknk ka aplikuar dy seanca stërvitore teksa paradite ekipi ka qenë në palestër, ndërsa pasdite do zbrese në fushën sportive të Golemit për të punuar në aspektin tekniko- taktik.

Kjo stërvitje e fortë do të vazhdojë edhe gjatë kësaj jave, ndërkohë që javën tjetër pastaj puna do të fokusohet tek sfida e finales së Superkupës ndaj Teutës. Një ndeshje që në kampin shkodran e presin me interes ku padyshim që objektiv do të jetë fitorja e këtij trofeu.

Por ndërkohë vijojnë përpjekjet e drejtuesve për të fuqizuar skuadrën me lojtarë të tjerë në pozicionet ku ajo ka nevojë. Për momentin nuk kemi asnjë lojtar të ri të ardhur, por nga ana tjetër është larguar mesfushori Ilir Mustafa.

Futbollisti kosovar duket se nuk i ka pëlqyer oferta e drejtuesve shkodranë dhe si rrjedhojë ka vendosur të luajë në vendin e tij. Megjithatë në provë vazhdojnë të jenë mbrojtësi Kristi Marku dhe mesfushori tjetër kosovar Albin Sadrijaj.

Stafi teknik ende nuk ka vendosur përfundimisht për ta, por me siguri që brenda 2-3 ditësh do të ketë një përgjigje. Sponsori Xhaferi e ka deklauar se merkatoja e Vllaznisë do të jetë e hapur deri më 31 gusht e si rrjedhojë priten afrime dhe largime lojtarësh. Por deri atëherë ka kohë dhe stafi teknik është duke u fokusuar tek kontigjenti aktual, duke shpresuar të marrë më të mirën prej tij.

Rikthimi në stërvitje i Da Silvës dhe fillimi i stërvitjes edhe për brazilianin tjetër Gustavo, janë lajme pozitive për trajnerin Brdariç që shumë shpejt do të ketë dy elementë cilësorë më shumë në dispozicion.