Vllaznia po e shfrytëzon ndërprerjen e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares për rritjen e formës fizike të futbollistëve si dhe per riparimin e gabimeve të vërejtura në ndeshjen e fundit me Laçin. Pikërisht në këtë të fundit që u shoqërua me humbjen 2 me 1, futbollistët kuqeblu përveçse treguan dobësi në finalizimin para portës kundërshtare, në pjesën e dytë të ndeshjes, kanë treguar rënie të dukshme të formës fizike. Këto defekte, trajneri Artan Bushati ua ka bërë të ditur futbollistëve edhe në analizën e shkurtër që ka zhvilluar me tone. Ndryshime nga sa pritej, analiza nuk ka patur tone të larta kritike por thjesht është biseduar për korigjimin e këtyre gabimeve. Vllaznia ka kohë për ta bërë këtë gjë sepse kampionati është ndërprerë për shkak të dy ndeshjeve që do luajë kombëtarja shqiptare. Nga ana tjetër, ajo që të bën përshtypje është se në grumbullimin e fundit të ekipit kombëtar shpresa për turneun që është duke u zhvilluar në Austri, nuk ka në rradhët e tij asnjë futbollist të Vllaznisë. Një ndjesi disi e çuditshme kjo kur ke parasysh që në rradhët e saj ka disa futbollistë që po luajnë rregullisht si titullar në formacionin e parë. Pavarësisht kësaj, puna në kampin shkodran ka vazhduar me të njëjtat ritme. Aty po punohet për ndeshjen e javës së ardhshme me Tomorin, ndaj një skuadre që duket se i ka dhënë lamtumirën Superligës megjithatë ajo nuk do të nënvleftësohet për asnjë moment. Pavarësisht humbjes në Laç në fundjavën e kaluar dhe zbehjes së shanseve për të zënë një vend që do ta çonte në Kupat e Europës, drejtuesit dhe futbollistët e Vllaznisë sërish mendojnë se mund t’ia dalin dhe për këtë do të tentojnë deri në fund për arritjen e këtij objektivi.

Gjergj KOLA