Vllaznia dhe Studenti kanë siguruar daljen në finalen e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj për këtë vit. Ata kanë mundur respektivisht ekipet Farka Volej dhe Tiranën në gjysmëfinale me të njëjtin rezultat. Në ballafaqimin Vllaznia- Farka Volej të luajtur pasditen e djeshme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit, ka patur deri diku rivalitet. Seti i parë është fituar nga shkodranët me rezultatin 25-16 dhe po ashtu edhe i dyti është mbyllur thuajse me të njëjtat shifra, 25-18. Kur pritej që ndeshja të mbyllej 3-0 për shkodranët, në setin e tretë ka qenë Farka Volej ajo që ka fituar 25-23 duke bërë që takimi të ketë nevojë edhe për set të katërt i cili do fitohej nga Vllaznia 25-21 dhe për rrjedhojë i gjithë takimi është fituar me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Në këtë mënyrë ekipi i drejtuar nga trajneri Artan Kalaja ka siguruar të drejtën për të dalë në finale të këtij trofeu. Në formacionin e djeshëm për kuqeblutë janë aktivizuar edhe dy volejbollistët malazezë të ardhur në merkaton e dimrit, Dragan Boshkoviç dhe Nikola Kuç, krahas shkodranëve Prela, N. Qafarena, Miloti, Kola, Çekini, Qerraxhia e A. Qafarena. Ajo që mbetet tashmë është finalja e Kupës që do të luhet pasditen e sotme po në “Asllan Rusi”. Vllaznia do ketë një tjetër mundësi për t’i marrë trofeun nga duart Studentit gjë që nuk e arriti pak ditë më parë në finalen e Superkupës.
© shkodrasport.com