Ekipi i Vllaznisë në peshëngritje për të rritur, do të synojë mbrojtjen e titullit kampion sërish edhe në kampionatin e rradhës. Ai do të zhvillohet në datat 3-4 mars në qytetin e Durrësit. Pallati i sportit “Ramazan Njala” i këtij qyteti do presë shtangistët më të mirë të vendit, përfaqësues të klubeve sportive të cilët do konkurrojnë për shpalljen kampion si në aspektin individual ashtu edhe atë ekipor. Shtangistët e Vllaznisë dhe trajnerët e tyre Muhamet Tuzi, Genc Barkiçi dhe Artur Lagja, kanë objektiv kryesor të dyja këto. Pra nxjerrjen e sa më shumë kampionëve si individ dhe ajo çka është më e rëndësishmja, shpalljen e Vllaznisë kampion si ekip.

Shkodranët pritet të marrin pjesë me 8 sportistë në këtë kampionat kombëtar. Ndonëse ende nuk është bërë përzgjedhja e plotë e ekipit, disa prej emrave janë thuajse të ditur megjithatë përbërja e mundshme do jetë kjo: Erkand Qerimaj, Marjan Bregu, Isa Bala, Xhulio Prroni, Senad Perfati, Gridi Jahja, Elis Lishi, Flogert Mali dhe Emanuel Lushi. Në ditët e fundit mbase mund të ketë ndonjë lëvizje nga kjo listë. E rëndësishme është që Vllaznia do të kërkojë mbrojtjen e titullit kampion dhe me formën që zotërojnë sportistët e saj aktualisht, kjo është mëse e arritshme.

 

www.shkodrasport.com