Nga pretendimet për titull te rreziku për Europën. Vllaznia e këtij sezoni ka dalë jashtë pritshmërive, sepse si një nënkampione në fuqi, dhe fituese e Kupës së Shqipërisë, shto këtu edhe investimin e bërë nga klubi, u mendua se do të ishte sërish mes pretendentëve për të fituar trofe.
Mirëpo, pas 27 javësh kampionat ka pesë pikë më pak se vendi i tretë, që të çon në Kupat e Europës. Nga ana tjetër, edhe pse është në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, Vllazninë e pret një ndeshje mjaft e egër me Partizanin, teksa i duhet me patjetër një fitore në sfidën e kthimit më 13 prill në stadiumin “Loro Boriçi”, ç’ka do ta dërgonte në finalen e këtij kompeticioni.
Humbja e fundit në shtëpi ndaj Kastriotit mërziti jo pak stafin shkodran, me në krye trajnerin Elvis Plori, teksa u shfaq me një pamje të zymtë në konferencat pas ndeshjes.
Megjithatë ndaj Laçit, të besuarit e Plorit synojnë suksesin, duke marrë si shembull pozitiv atë fitore që bënë në startin e fazës së dytë në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj kurbinasve, 1-0.
Në fakt, në këtë sezon, statistikat flasin në favor të shkodranëve, që në tre ndeshje ndaj kurbinasve, kanë fituar dy dhe humbur një. Megjithatë, statistikat mbeten vetëm në letër, teksa mbetet për t’u parë ajo se çfarë do të shpalosin të dy ekipet në fushën e lojës.
Ndeshja Vllaznia-Laçi do të luhet ditën e nesërme, duke filluar nga ora 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Maringlen ZHIVANI