Ka mjaftuar një fitore në transfertë ndaj Teutës kryesuese dhe në Shkodër janë ringjallur shpresat për një Vllazni pretendente. Kuptohet që për vendin e parë e të dytë gjërat janë shumë të vështira por diku më poshtë, tashmë çdo gjë është e mundur. Goli i Smajlit në minutën e 88-të të ndeshjes së luajtur në “Niko Dovana” ka patur një vlerë të madhe. Në të gjitha drejtimet. Së pari për tre pikët që i kanë dhuruar skuadrës shkodrane. Me to, tashmë kemi një Vllazni që nuk sheh më nga fundi i renditjes dhe me frikën e rrezikut të rrëshqitjes siç mund të ketë qenë deri para 2-3 javësh. Me këtë fitore, gjërat janë shumë më ndryshe tashmë. Nuk flitet më për rrezik rënie por për ngjitje më lart në renditje. Madje drejt vendeve të para të renditjes. Tabela dhe kalendari ua bëjnë të mundur këtë gjë. Flamurtari i vendit të katërt është vetëm 4 pikë larg tyre dhe me të, Vllaznia do luajë pas tre javësh në “Loro Boriçi”.
Dy sfida rradhazi njëra pas tjetrës në Shkodër mes këtyre skuadrave, fillimisht për kupë dhe pastaj për kampionat. Vllaznia ka gjithçka në dorën e saj dhe nëse ajo ruan këtë ritëm, do ia dalë të shkojë shumë larg. Konkurrenti tjetër për vendin e katërt është Kastrioti që aktualisht ka vetëm 2 pikë më shumë sesa kuqeblutë.. sfida mes këtyre dy skuadrave të mos harrojmë se është edhe ajo në Shkodër në fund të kësaj jave. Triumfi ndaj tij do vlente shumë. Më tepër se gjithçka tjetër, do çonte në pesë numrin e takimeve pa humbje të Vllaznisë. Deri më tani ka katër të tilla, dy fitore me Kamzën dhe Teutën dhe dy barazime me Skënderbeun. Në këtë mënyrë, brenda një kohe të shkurtët gjërat janë përmbysur krejtësisht. Kanë marrë një rrjedhë tjetër për skuadrën e trajnerit Vata që asnjëherë nuk u shfaq pesimist për këtë skuadër ndonëse ajo nuk u ndërtua asnjëherë siç deshi vetë. Besimi tek suksesi ka qenë primar për të. Tashmë në Shkodër kanë filluar të mendojnë për të tjera gjëra. Vend i katërt në kampionat dhe pretendime deri në fund për kupën. Megjithatë vetë trajneri Vata qëndron me këmbë në tokë. “Objektivi jonë është t’ i marrim ndeshjet një e nga një. Se ku do shkojmë, kjo mbetet për t’ u parë sepse bilancet do bëhen më mirë në fund të sezonit”- ka thënë ai pas fitores në Durrës. Kjo fitore në fakt, përveç gjithë këtyre të mirave që solli për kuqeblutë, më së shumti i ka bërë tifozët e Vllaznisë të ndjehen më të çliruar. Ata kanë patur një “peng” jo të vogël përbrenda qysh nga tre sezone më parë kur Teuta i mundi në durrës dhe me atë humbje, shanset e titullit kampion për shkodranët u zbehën. Shkodranët nuk e kishin të keqen vetëm nga humbja por nga thirrjet e tifozëve durrsakë “Tirana, Tirana” në stadium ngaqë bardheblutë ishin rivalët e Vllaznisë për titullin kampion. Dhe “haku” u mor këtë të shtunë teksa me humbjen e pësuar Teuta thuajse i ka humbur shanset për të dalë kampion. Ajo çfarë ka rëndësi në këto momente është që skuadra e Vatës të vazhdojë të luajë në këtë mënyrë. Përpara është sfida e kupës me Laçin ku patjetër duhet një barazim në mënyrë që gjërat të jenë më të lehta për ta në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit për të dalë në gjysmëfinale. Pak kohë më parë, trajneri Vata pat thënë se Shkodra do jetë krenare në fund të sezonit me skuadrën që do ketë. Shumëpak kush e besoi në ato momente. Ndoshta edhe tani. Ajo që ka rëndësi është se ndryshimet po vijnë. Bashkë me ta edhe rezultatet. Ndoshta Rudi ka të drejtë megjithatë të presim deri në fund.
Gjergj KOLA