Vllaznia po zhvillon fazën përgatitore në Austri për të qenë e gatshme për takimet që ka me 21 e 28 korrik ndaj rumunëve të Universtateas së Krajovës.

Te kuqeblutë bie në sy që kanë konkurrencë në çdo repart. Madje edhe në sulm, kuqeblutë kanë tanimë jo një, por tre lojtarë që do të kërkojnë që të luajnë. Kroati Ante Aralica duket se do ta kishte të lehtë një vend në formacion edhe për sezonin, pasi në këtë merkato të deritanishme nuk ishte gjendur asnjë emër që mund të quhej sulmues i parë.

Mirëpo ditët e përgatitjeve të skuadrës në Austri kanë treguar se kroati Aralica do ta ketë jo pak të vështirë që ta mbrojë vendin e titullarit. Braziliani Kaina Nunes, i ardhur pas huazimit nga Kastrioti dhe shkodrani Mehdi Çoba, janë tani në një garë për një vend titullari në formacion. Të dy lojtarët kanë arritur të gjejnë golin në takimet miqësore që skuadra ka zhvilluar.

AKTIVIZIMET

Ndoshta si rrallëherë gjatë përgatitjeve që skuadra shkodrane ka zhvilluar në prag të takimeve për Kupat e Europës apo për sezonin e ardhshëm, trajneri Josa u ka dhënë mundësinë të gjithëve që të shprehin vlerat e tyre. Një gjë të tillë ai e ka bërë jo vetëm në gjithë përfshirjen e lojtarëve në seancat stërvitore, por për më tepër, në miqësoret që skuadra ka zhvilluar. Në tri takimet miqësore që kuqeblutë kanë zhvilluar,

Josa u ka besuar 25 nga 27 lojtarëve që ka pasur të grumbulluar. Të vetmit që nuk e kanë prekur fushën e blertë në ndeshjet miqësore, janë portieri i tretë, Entoni Shkoza dhe sulmuesi Eraldo Deda, i cili mësohet se ka qenë i dëmtuar. Mesa duket, tekniku kërkon të mos ketë vetëm një skuadër në fushën e lojës, por edhe një stol të fortë dhe konkurrencë brenda ekipet.