Një fitore me shumë vlera ka arritur pasditen e së shtunës Vllaznisë në Fier. Goli i uruguajanit Soza në fundin e pjesës së parë ka mjaftuar që kuqeblutë të fitojnë 1-0 ndaj Apolonisë duke iu larguar përfundimisht fundit të renditjes. Loja ka qenë përgjithësisht e dominuar nga shkodranët, të cilët në ndonjë rast kanë patur edhe shansin me vete.
Ndeshja ka nisur me dy ndryshime në formacionin e Vllaznisë teksa janë rikthyer në lojë Sykaj e Soza që munguan javën e kaluar. Pjesa e parë është më e mirë për miqtë të cilët me anë të Sozës, Krujës dhe Shtubinës duhej të kishin shënuar por në fakt goli ka ardhur në minutën e fundit të kësaj pjese. Pas një topi të gjuajtur nga brenda zone prej Shtubinës, portieri Cakoviç e ka grushtuar atë dhe ka përfituar Soza që ka qenë mjaft i vëmendshëm dhe me të majtën e ka dërguar topin në rrjetë. Në pjesën e dytë trajneri Raineri udhëzon futbollistët për të administruar rezultatin dhe në fakt ata ia arrijnë. Në ndonjë moment edhe duhej të kishin shënuar golin e dytë por në minutën e 69-të kanë qenë me fat sepse topi i goditur nga njëri prej futbollistëve vendas ka goditur traversën dhe është prekur edhe nga Beqiri por për fat të mirë pa kaluar në rrjetë. Ky ka qenë momenti më i rrezikshëm për Apoloninë ndërsa që Vllaznia e ka ruajtur avantazhin deri në fund. Përfundimisht 1-0 për të e cila me këtë trepikësh përveçse i është shkëputur 6 pikë fierakëve, ka kaluar në renditje për momentin edhe Teutën duke qenë kësisoj në një pozicion komod në renditje.
© shkodrasport.com