Ekipi i Vllaznisë pritet që ta mbushë boshllëkun e krijuar nga ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares, me një takim miqësor. Nga sa bëhet e ditur, ditën e dielë është menduar që të zhvillohet një miqësore në Mal të Zi me ekipin e Zetës. Gjërat kësisoj janë të qarta. Trajneri Bushati dëshiron të mbajë në formë skuadrën e tij dhe për rrjedhojë e ka kërkuar këtë miqësore. Megjithatë vetëm paraditen e nesërme do të saktësohet përfundimisht për zhvillimin e kësaj ndeshje dhe orarin e saj. Vllaznia e ka patur të plotë përbërjen gjatë gjithë këtyre ditëve ngaqë asnjë futbollist i saj nuk ka qenë i grumbulluar me kombëtaren apo me shpresat. Në kushte të tilla, stërvitja është zhvilluar normalisht sipas panifikimit të bërë më parë nga ana e stafit drejtues. Skuadra shkodrane ka humbur disi terren në pretendimet e saj me humbjen e fundit në Laç por sërish do kërkojë të ruajë vendin e pestë dhe pse jo të tentojë të ngjisë edhe ndonjë shkallë tjetër, gjithnjë duke kërkuar marrjen e pikëve maksimale për veten dhe humbjen e ndonjë ndeshje nga ekipet rivale. Kjo duket paksa e vështirë të ndodhë megjithatë përderisa matematikisht Vllaznia ka shpresë, kjo edhe mund të ndodhë dhe duhet shpresuar deri në fund.

Gjergj KOLA