Për trajnerin Shpëtim Duro dhe disa prej futbollistëve që përfliten, dje nuk ka pasë asnjë takim. Tashmë do jetë dita e enjte shumë vendimtare për Vllazninë. Pikërisht këtë ditë do të zhvillohet edhe analiza e shumëpritur e drejtuesve të lartë të klubit shkodran, me stafin drejtues dhe atë teknik. Vendimi është marrë ditën e djeshme. Në fakt pritej që të kishte një takim të nënkryetarit të Bashkisë Troshani dhe administratorit Gjyrezi me kryebashkiakun- president Luka. Të paktën kështu kishte deklaruar një ditë më parë vetë numri 2 I këtij institucioni.

Por në fakt, dita e djeshme ka qenë shumë e ngarkuar në Bashkinë Shkodër. Ka qenë afati I fundit I dorëzimit të disa projekteve dhe për rrjedhojë, nuk ka patur kush kohë të diskutojë për Vllazninë. Thjesht ka patur një takim në këmbë me kryebashkiakun dhe është lënë që analiza e shumëpritur të bëhet ditën e enjte pasdite. Këtë e ka bërë të ditur për “Shkodra Sport” vetë nënkryetari I Bashkisë Ritvan Troshani që është shprehur: “Sot (dje) nuk patëm shumë kohë të merremi me problemin e Vllaznisë si pasojë e dorëzimit të disa projekteve shumë të rëndësishme për qytetin. Megjithatë, kryetari I Bashkisë z. Luka vendosi që analiza të zhvillohet të enjten pasdite. Në këtë analizë përveç kryetarit dhe ne si bord mbikëqyrës, do jenë edhe administrator I klubit, drejtori sportive dhe trajneri. Kryetari Luka la detyrë që palët të paraqesin një raport të posaçëm në këtë analizë. Administratori atë të anës financiare të klubit, drejtori sportiv të anës sportive dhe trajneri të ecurisë së deritanishme të skuadrës. Besoj se në këtë analizë do të diskutohet edhe se çfarë do bëhet për të ardhmen dhe cilat do jenë vendimet që do merren në lidhje me këtë çështje”. Kaq ka thënë ai dhe normalisht kuptohen shumë gjëra Brenda kësaj deklarate. Dita e enjte do vendosë për shumë gjëra. Do përcaktojë njëherë e mirë atë se kush I ka blerë këta futbollistë sepse ka dyshime për këtë. Do kërkohet llogari për daljen nga objektivat dhe shumë gjëra të tjera. Sigurisht që do pyetet edhe trajneri Duro për projektin e tij për të ardhmen. Nëse ai është bindës, sigurisht që edhe mund të qëndrojë përsëri në krye të skuadrës por me shumë gjasa, votat kundër tij do jenë disa. Kjo gjithsesi mbetet për t’u paë. Në media kanë filluar të përfliten edhe emrat e parë si zëvendësuesit e mundshëm të tij por kjo mbetet për t’u vërtetuar nëse është e vërtetë apo jo. E sigurtë është që nëse Duro shkarkohet, pasuesi I tij do jetë një trajner shkodran. Në analizën e së enjtes do merren vendime ndoshta edhe për largimin e 4-5 futbollistëve. Ata akuzohen për formë jo të mirë sportive gjatë gjithë fazës së parë por edhe për dyshime të tjera në paraqitjet e tyre. Të gjitha këto natyrisht që kanë koston e tyre dhe me siguri që në analizën e pas dy ditëve do diskutohet edhe për to. Vllaznia ka nevojë për ndryshim. Në emra ndoshta edhe jo por në mënyrën e të punuarit dhe të kërkesës së llogarisë.
Gjergj KOLA