Nga sot  Vllaznia e re do nisë punë. Kuptohet që nuk do jetë e plotë por në përqindjen më të madhe, do jetë 80 për qind e skuadrës që do luajë në kampionatin e ardhshëm. Do mungojnë emrat e mëdhenj megjithatë do jenë ata “të vegjëlit” që janë gjithmonë të domosdoshëm për një skuadër. do jenë edhe të rinjtë që tek skuadra shkodrane në fakt janë të shumtë. Sa I takon këtyre të fundit, ka një dilemë të madhe se çfarë do bëhet me ta. Dhe në fakt nuk është një apo dy, por një koloni e tërë. Duke filluar nga portieri Rexhepi që në fazën e dytë të sezonit të kaluar luajti si I huazuar tek Naftëtari dhe tashmë është rikthyer sërish në Shkodër. Për të vazhduar me Djepaxhinë, Tafën, Karakaçin, Erkoçeviç, Shaba, Bardulla, Mujeci.  Pjesë e Vllaznisë është edhe Baci që ka luajtur me Luftëtarin sezonin e fundit dhe gjirokastritët e duan sërish por ende nuk dihet përgjigja e trajnerit Duro nëse e do në skuadër apo jo. Po ashtu, pjesë e kuqebluve janë edhe mbrojtësi Hotaj dhe sulmuesi Puka që luajtën si të huazuar tek Ada në sezonin e fundit. Përveç tyre mund të ketë edhe të tjerë në ekipe të tjera. Numri I tyre bëhet kësisoj I madh. I denjë për të ndërtuar një ekip më vete. Ideja paraprake është që disa prej këtyre futbollistëve të huazohen sërish në skuadra të tjera por ende nuk është gati lista se cilët do ikin dhe cilët do largohen. Kërkesat në fakt kanë filluar për largim. I pari është sulmuesi Bekim Erkoçeviç që mund të shkojë i huazuar tek skuadra e Kukësit. Pas tij mund të jenë edhe të tjerë. Përveç këtij kontigjenti janë edhe shumë të tjerë që vijnë nga ekipi I të rinjve dhe jo pak por 13 futbollistë kanë plotësuar datëlindjen dhe janë gati për ekipin e të rriturve. Sigurisht që për të gjithë ata nuk do ketë vend. Më së shumti do mbahen 3-4 prej tyre që janë më të talentuarit dhe emrat thuajse janë të njohur tashmë sepse kanë qenë pjesë e skuadrës edhe në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Guri, Dema, Markolaj, Kruja e Ujkaj kanë luajtur edhe në ndeshje zyrtare me Vllazninë dhe duken më pranë qëndrimit por mund të ketë ndryshime edhe në këtë listë. Ajo që është e qartë deri tani, ka të bëjë me faktin se drejtuesit e klubit shkodran kanë ndër mend që shumë futbollistëve të rinj t’u japin mundësinë të luajnë me skuadra të tjera të Superligës apo dhe të kategorisë së parë. Kjo ngaqë për momentin, ideja e krijimit të ekipit Shpresa tek Vllaznia ka mbetur thjesht vetëm një ide deri tani. Nëse këta 19-20 vjeçarë do largohen nga skuadra, kjo bëhet ngaqë ata nuk shihen ende të gatshëm për të luajtur me Vllazninë. Drejtuesit e klubit edhe mund të kenë të drejtë por edhe jo. Sepse Bala dhe Vajushi që kanë dalë nga kjo skuadër dhe sot janë futbollistë me emër, kanë qenë pikërisht shokë skuadre me këta futbollistë dhe nuk kanë bërë diferencën me to. Thjesht, ata shfrytëzuan më së miri shansin që iu dha dhe sot janë futbollistë të spikatur dhe të lakmuar prej shumë skuadrave, Brenda dhe jashtë vendit. Këta të tjerët, nuk kanë ditur ndoshta ta shfrytëzojnë siç duhet këtë shans. Ndoshta edhe nuk ua kanë dhënë ashtu siç duhet megjithatë lojtarë si Karakaçi, Bardulla, Tafa, Erkoçeviç etj, nuk mund të “hidhen në rrugë” krejt kollaj. Por mbase është herët të flasim. Fjalën e fundit do ta thotë trajneri Duro, nëse do të mbështetet tek këta futbollistë apo jo, përkundër zërave që thonë se ata do huazohen në skuadra të tjera.
Gjergj KOLA