Vllaznia është kthyer pasditen e së mërkurës nga Mali I Zi ku zhvilloi një stërvitje 10 ditore në kampingun e Beranes. Gjatë qëndrimit atje, çdo gjë ka shkuar mirë sa I takon përgatitjeve dhe I vetmi problem ka qenë mungesa e ndeshjeve miqësore. Për këtë arsye, stafi teknik ka programuar një tjetër takim. Këtë herë do të luajë me ekipin e Deçiçit. Takimi do të luhet ditën e shtunë në stadiumin e qytetit të Tuzit.

Në këtë përballje stafi teknik I ekipit shkodran kuptohet që do të mundohet të hedhë në fushë formacionin me të cilin do të përballet javën e ardhshme për kampionat me Lushnjën. Natyrisht që kjo miqësore pritet me interes sepse I gatshëm do të jetë edhe blerja e fundit e Vllaznisë Erjon Vucaj dhe mbetet për t’u parë cili do të jetë pozicioni I tij në fushë apo dhe skema e vendosjes së skuadrës në fushë. Deri tek miqësorja me Deçiç, kuqeblutë do të zhvillojnë edhe dy seanca të tjera stërvitore në fushën sportive “Reshit Rusi”. Miqësorja e se shtunes mbase mund të jetë testi më serioz që do të tregojë edhe gjendjen aktuale të kuqebluve në prag të nisjes së sezonit të ri.

www.shkodrasport.com