Në merkaton e janarit, fokusi i Vllaznisë, përveç firmës me një qendërmbrojtës, do të jetë edhe afrimi i një qendërsulmuesi me eksperiencë, që e njeh mirë kampionatin dhe mund të japë garanci për golat në pjesën e dytë të sezonit. “Shkodra Sport” mëson se bisedimet kanë nisur dhe në klub aktualisht janë në pritje të përgjigjeve pozitive.

Emrat mbahen sekret nga drejtuesit, por në ditët e ardhshme pritet që të ketë zhvillime. Kështu, përveç repartit të portës, në të gjitha pozicionet e tjera, pritet të ketë afrime. Realisht, duke ditur se merkatoja e janarit nuk ofron shumë mundësi, pritet që më tepër merkatoja të fokusohet te futbollistët nga brenda vendit.

Drejtuesit, me në krye presidentin Alban Xhaferi në bashkëpunim me trajnerin Mirel Josa, do të ulen për të përzgjedhur futbollistët që do të bashkohen me ekipin për pjesën e mbetur të sezonit, në një kohë që një mundësi për të bërë “pazar” shikohet edhe tregu kosovar.

Vllaznia ka në këtë sezon dhe ka pasur edhe më parë shpesh futbollistë nga disa qytete të Kosovës ndër vite dhe sërish sytë mund të hidhen në kampionatin fqinj.
Maringlen ZHIVANI