Te Vllaznia kanë nisur “ethet” e merkatos. Ecuria jo e mirë në këto 15 javë kampionat ka bërë që drejtuesit e klubit dhe stafi teknik të mendojnë seriozisht për atë që pritet të ndodhë në afatin kalimtar të janarit.

Në fakt, vetë trajneri Mirel Josa paralajmëroi pas ndeshjes së fundit me Teutën, ku shkodranët fituan 4-0, se do të ketë largime nga skuadra. Pra, pasi klubi të mbyllë marrëveshjet me lojtarët që nuk shikohen më në planet e trajnerit, më pas do të shikohet për zëvendësimin e tyre.

Për momentin, emri më i lakuar për të prishur kontratën me Vllazninë është fantazisti Kristjan Vulaj, i cili nuk është preferuar aspak nga Josa në dy muajt e fundit. Mirëpo, edhe me lojtarin nga Tuzi duhet gjetur gjuha e përbashkët, pasi ka një kontratë 3-vjeçare dhe mund të kërkojë dëmshpërblim të madh.

“Panorama Sport” mëson nga burime në klub se një tjetër që është diskutuar së fundmi se mund të largohet është sulmuesi Ante Aralica. Këtij të fundit i mbeten edhe gjashtë muaj kontratë dhe nisur nga performanca në pjesën e parë të këtij sezoni, gjasat janë që të shkohet drejt prishjes së marrëveshjes me mirëkuptim.

Megjithatë, për momentin ende nuk ka asgjë konkrete dhe gjithçka prite të mësohet në ditët e para të janarit, kur dhe drejtuesit të bëjnë bisedime konkrete me kroatin.

Në fitoren e fundit ndaj Teutës, Aralica nuk u aktivizua fare dhe Josa preferoi të luante me brazilianin Kaina në majën e sulmit. Në nëntë ndeshje të luajtura këtë kampionat, kroati ka shënuar vetëm 1 gol.

AFRIMET – Me largimin e mundshëm të Aralicës, klubi shkodran do të bëjë gjithçka që brenda merkatos së janarit të afrojë një qendërsulmues tipik, i cili jep garanci për golat.

Natyrisht kjo periudhë është shumë e vështirë për të gjetur emra cilësorë, pasi edhe ata që janë të lirë në treg, me kontrata të mbyllura në klubet respektive, rrezikojnë të vijnë me probleme të ndryshme.

Drejtuesit nuk duan të nxitohen, edhe pse tashmë dihet që ka pasur një interesim zyrtar për sulmuesin shkodran, Erald Çinari, për të cilin edhe Josa ka folur pak ditë më parë. Krahas kuqebluve, për shkodranin interesohen edhe Partizani dhe Shkëndija e Tetovës.

Së fundmi nuk kanë munguar zërat as për Rubin Hebajn, i cili është larguar nga Teuta. Megjithatë, klubi është i prirur më tepër për një sulmues me karakteristika të tjera, që do t’i jepte më shumë frymëmarrje skuadrës.

Në 15 javët e para golat e sulmuesve kanë qenë me pikatore, aq sa shënuesi më i mirë i ekipit është mesfushori Herald Marku (4 gola).

Ndërkohë, krahas kërkimeve për një sulmues me peshë, gazeta zbulon nga burime në klub se në janar do të kërkohet me patjetër edhe një qendërmbrojtës.

Dëmtimet e Bulatoviçit, Juriçit dhe Shehit së fundmi krijuan panik, duke detyruar trajnerin të kthente në qendër të mbrojtjes Gurishtën dhe Boshnjakun.

Emri më i lakuar aktualisht që mund të vishet kuqeblu është mbrojtësi portugez, Tiago Ferriera, i cili prishi kontratën me Kukësin vetëm pak ditë më parë.